

Detaje të reja pas zbulimit në Tiranë të një laboratori për falsifikimin e diplomave dhe licencave profesionale, në pranga një 51-vjeçar
Një operacion i zhvilluar në Tiranë ka çuar në zbulimin e një ambienti të përshtatur si laborator për falsifikimin e diplomave dhe licencave profesionale, ndërsa është vënë në pranga një 51-vjeçar.
Personi i arrestuar, Abas Tafa, 51 vjeç, ka qenë më herët kandidat për deputet në siglën e Koalicionit EuroAtlantik të drejtuar nga Lulzim Basha.

Operacioni policor i koduar “Laboratori” u finalizua nga Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas një pune të mirëorganizuar hetimore.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 51-vjeçarit, në zonën e Zall-Bastarit, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, i cili ishte përshtatur si laborator për prodhimin dhe falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, programeve master, si dhe licencave profesionale.
Në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara, si dhe sende dhe pajisje të tjera të kundërligjshme që dyshohet se shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






