

TIRANË – Policia ka zbuluar një laborator për falsifikimin e diplomave dhe licencave profesionale në zonën e Zall Bastarit, ndërsa ka arrestuar një 51-vjeçar të dyshuar si organizator i kësaj veprimtarie.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga është vënë shtetasi Abas Tafa, banues në Zall Bastar. Operacioni policor i koduar “Laboratori” u zhvillua nga Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të përshtatur si laborator, ku prodhoheshin dhe falsifikoheshin diploma të shkollave të mesme, universiteteve, programeve master, si dhe licenca profesionale.
Në kuadër të operacionit u sekuestruan qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe pajisje të ndryshme që shërbenin për këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Policia bëri të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






