

Ekspertë të njohur të mjedisit dhe ekonomisë, Prof. Dr. Romeo Hanxhari, ekspert i mjedisit, Alis Mustafa, menaxhim projektesh, Dr Lorenc Gordani, këshillues ligjor për investimet në energjetikë dhe infrastrukturë, si dhe Ardian Cani, drejtor i projekteve për energjinë e pastër fotovoltaike, në këtë bisedë me gazetarin Bardhi Sejdarasi, sjellin opinionet e tyre për ecurinë e kësaj nisme
Nisma për zhvillimin e gjelbër, ka një jetëgjatësi afro 20 vjeçare. Ajo ka përfshirë më shumë se 100 shtete, duke u përshfaqur si një platformë e plotë që nga viti 2012 e Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit.
“Ekonomia e gjelbër“ është një koncept, i cili zyrtarisht është konceptuar nga OKB në vitin 2012 në Konferencën RIO + 20“. Ishte pikërisht koncepti i ekonomisë së gjelbër, që e vinte ekonominë në qendër të asaj konference, e cila vinte pas një recesioni të ekonomisë nga viti 2008 e në vijim, krizë e cila vuri në dyshim teorinë dhe praktikën e zhvillimit të qëndrueshëm, i cili ishte zyrtarizuar që në 1992, po në Rio.
Debatet aktuale për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm janë përqendruar te koncepti i Kinës që njihet ndryshe dhe si Koncepti i Dy Maleve: “Ujëra të kthjellëta dhe male të harlisura për Kinën dhe botën e bukur". Ky koncept dhe praktikë qytetërimi ekologjik ka frymëzuar botën duke përbërë thelbin e frymës së diskutimit aktuale për një ekonomi qarkulluese të domosdoshme. Ekspertët pajtohen se përvoja e Kinës në këtë qasje i takon të gjithë botës së qytetëruar.
Prof. Dr. Romeo Hanxhari, është një qëmtues i hershëm i të gjitha çështjeve që lidhen me mjedisin, por edhe një autor i zëshëm i temave për këtë çështje. Në 2012 ai ka hartuar draftin e Shqipërisë të përqendruar pikërisht tek hapësirat e ekonomisë së gjelbër. Prof. Hanxhari nxjerr në pah se “arsyeja ishte t‘i jepnin ekonomisë shqiptare një puls të ri, duke e riorientuar në një drejtim sa më miqësor me elementët e tjerë të zhvillimit të qëndrueshëm, pra komponenti mjedisor dhe ai social.
Që nga ai moment, Bashkimi Evropian u bë lokomotiva e këtij koncepti dhe praktike, por prof. Hanxhari nënvizon se “është gjë jashtëzakonisht e mirë që, Kina, si një fuqi ekonomike dhe gjeopolitike në botë, të promovojë këtë koncept“.
“Tashmë, me potencialin që ka për energjitë e ripërtëritshme (për shkak të kostos së ulët të fuqisë punëtore, për shkak të lëndës së parë, pra rezervave të mineraleve të rralla etj., prodhimit të energjisë fotovioltaike etj., Kina po shndërrohet në një vend parësor në Botë“ – thotë prof. Hanxhari. Ai e cilëson këtë qasje si të “mirëpritur edhe për kontekstin tonë europian në kuadrin e përpjekjeve të Shqipërisë për t‘iu bashkëngjitur marrëveshjes së gjelbër të BE“. “Ne kemi detyrim që ecim në atë drejtim dhe Kina natyrisht që është një shembull shumë i mirë dhe një burim teknologjie dhe materialesh, me të cilat ne mund të ndërtojmë rrjetin tonë të energjisë së ripërtëritshme“ – tha në bisedë Prof. Dr. Romeo Hanxhari.
Sipas tiu, ulja e gjurmës ekologjike është “të prodhosh më shumë, me më pak burime natyrore dhe natyrisht dhe me sa më pak, mundësisht zero, ndikim mjedisor“.
Në një linjë të përafërt, Alis Mustafa, menaxhere projektesh, thotë se, “koncepti i “Dy maleve“ është mjaft interesant, duke parë se si një ekonomi industriale si ajo e Kinës ka bërë të mundur edhe integrimin, por edhe fokusimin në zhvillimin ekonomik dhe atë mjedisor.
Mustafa thotë se “është edhe një mundësi e mirë për ta zbatuar në ekonominë shqiptare", pasi siç thekson ajo, këto ide "kanë në fokus ruajtjen e mjedisit, të biodiversitetit, ndërgjegjësimin për ruajtjen e këtij mjedisi“.
Dr. Lorenc Gordani, këshillues ligjor për investimet në energjetikë dhe infrastrukturë, e vë theksin tek treguesit konkretë që ofron një ekonomi e gjelbër. “Shqipëria, – thotë Gordani, – ka kaluar në dhjetëvjeçarin e fundit, nga zero prodhim nga energjia diellore, në gati një teravat që pritet deri në fund të vitit 2026“. Sipas tij “ky nuk është një zhvillim i thjeshtë teknik, por është një qasje ndaj filozofisë që ne kemi“. Pra, – thotë Dr. Gordani, – po ta lidhim edhe me konceptim e “Dy maleve“, ujërat e kristalta, malet e hartlisura, e gjitha kjo nënkupton se zhvillimi ekonomik duhet të ecë paralelisht me mbrojtjen e mjedisit dhe me lënien e trashëgimisë brezave të ardhshëm“.
Ardian Cani, drejtor i projekteve për energjinë e pastër fotovoltaike, bën një koment që lidhet me diskutimin për ekonominë e gjelbër. “Koncepti i “Dy Maleve“, me kalimin e kohës, është bërë edhe qendra e strategjisë kineze për civilizimin ekologjik“, – thotë Cani, duke shtuar se në atë vend janë bërë shumë përparime në këto vite, mjafton të marrim në konsideratë, sidomos ata që e kanë vizituar Kinën vetëm pak vite më parë.
Ndikim pozitiv dhe në turizëm
Ekspertët e ftuar në bisedë, e lidhën konceptin e mësipërm edhe me turizmin dhe sidomos zhvillimin e tij në Shqipëri, në dekadën e fundit.
Dr. Hanxhari tha se Shqipëria mund të quhet tani një vend i varur ekonomikisht nga turizmi. "Kjo, në një farë mënyre ka të mirën e vet, sepse e kapilarizon përfitimin edhe te komunitetet lokale, por turizmi praktikisht ka një ndikim jo të vogël në mjedis", këmbëngul profesori i Universitetit të Tiranës.
Dr. Lorenc Gordani e çon më tej kur thotë se “rritja e shpejtë dhe me numra të mëdhenj e turizmit, në një farë kuptimi, kthehet edhe në një bumerang. Mbrojtja e mjedisit duhet të jetë parësore dhe kjo shihet në sektorin e turizmit, – tha ai.
“Turistët vijnë në Shqipëri për malet, për natyrën, për ujin, pra për këto bukuri! Dhe nëse ne nuk arrijmë të menaxhojmë rritjen e këtij fluksi me kujdesin në mjedis, shumë shpejt do të shikojmë që bregdeti do të jetë i ndotur, ujërat e pastra nuk do të jenë më të tilla“, paralajmëron Dr. Gordani.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






