Transmetuar më 10-04-2026, 13:38

Tiranë, 10 prill 2026 – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, ka njoftuar ndryshime në programin “Pas Shkolle”, duke bërë me dije se do të dyfishohet pagesa e shpërblimit për orët shtesë dhe do të zgjerohet gama e profesionistëve që mund të angazhohen në këtë nismë.

Sipas saj, në vijim të ndryshimeve ligjore të muajit mars, një vendim i ri i Këshilli i Ministrave parashikon zgjatjen e kohës së qëndrimit të nxënësve në shkollë, duke kombinuar mësimin e detyrueshëm me aktivitetet jashtëkurrikulare në kuadër të programit “Pas Shkolle”.

Ministrja bëri të ditur se shpërblimi për orët jashtë programit mësimor do të rritet nga 500 lekë në 1,000 lekë për orë, duke synuar, sipas saj, mbështetjen financiare të mësuesve të angazhuar në këtë program.

Gjithashtu, Kumbaro theksoi se do të hapet mundësia e angazhimit jo vetëm për mësuesit aktivë, por edhe për mësues në pension, si dhe për specialistë të fushave të ndryshme si artet, muzika, sporti dhe zejet.

Ajo i bëri thirrje profesionistëve të këtyre fushave që të kontribuojnë në program, duke e cilësuar atë si një nismë që synon pasurimin e aktivitetit edukativ dhe zhvillimin e aftësive të nxënësve përtej kurrikulës së detyruar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit