

Tiranë, 10 prill 2026 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka hedhur poshtë deklaratat se procesi i mbylljes së kapitujve të anëtarësimit në Bashkimi Evropian ka ngecur në Bruksel, duke i cilësuar ato “tymnajë” dhe interpretime të pasakta.
Gjatë një konference për shtyp, Hoxha theksoi se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në procesin e negociatave, duke vijuar përmbushjen e detyrimeve të dakorduara me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare.
Sipas tij, procesi i integrimit nuk është vetëm teknik, por një transformim i thellë institucional dhe shoqëror që zhvillohet brenda vendit, ndërsa vendimmarrja përfundimtare bëhet në Bruksel.
Ministri sqaroi gjithashtu se Shqipëria ka dorëzuar pozicionet e saj negociuese për çdo grupkapitull dhe se këto dokumente janë pjesë e procesit zyrtar të negociatave, të cilat mbeten të klasifikuara sipas një ligji të vitit 2015.
Ai shtoi se në kuadër të procesit të zgjerimit, Komisioni Evropian ka hartuar një raport mbi bazën e 92 hapave të përmbushur nga Shqipëria, ndërsa vendet anëtare kanë paraqitur pyetje shtesë, si pjesë e procedurave standarde të vlerësimit.
Hoxha u shpreh se Shqipëria po vijon reformat dhe është e angazhuar në mënyrë të pandërprerë për mbylljen e kapitujve të negociatave, duke krahasuar ecurinë e vendit me procesin e zgjerimit të vendeve të tjera të rajonit.
Deklarata:
Ferit Hoxha: Kohët e fundit, javët e fundit kemi parë këndvështrime, deklarata, analiza, hamendësime, ato që do i quaja një tymnajë që është ushqyer nga diskursi i brendshëm. Ajo që është fakt, dhe jo vetëm sepse e themi ne, por sepse e konfirmojnë institucionet europiane dhe vendet anëtare, është se Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm, shembullor në avancimin e negociatave duke vijuar punën për përmbushjen e detyrimeve që kemi marrë bashkarisht me KE-në, që janë diskutuara nga vendet anëtare dhe që janë absolutisht përmbajtja e asaj që ne quajmë procesi negociues. Edhe në daljet publike, në angazhimin publik që kemi zhvilluar bashkë me disa kolegë në qeveri, për të diskutuar me rininë, me studentët, dhe kjo nuk është një shëtitje rruge, siç thuhet, por është të shkosh atje ku formohet brezi i ri, të shkojmë atje ku po formohen ata që duhet të jenë të parët ta shijojnë jetën e tyre profesionale si anëtarë dhe qytetarë të BE-së. Po mundohemi të theksojmë disa gjëra shumë të thjeshta, por përmbajtësore. Integrimi nuk është vetëm proces teknik, proces letrash, raportesh, procese email-esh, përgjigjesh, pyetjesh, por është një proces transformimi që ndodh në vend. E kam theksuar dhe kam dëshirë ta theksoj përsëri, vendimet bëhen në Bruksel, takimet bëhen në Bruksel, reformat merren këtu, impakti është këtu dhe do të mbesë këtu.
E para, nuk do më dëgjoni të flas për ish-ministra, për persona me të cilët kam punuar. Në lidhje me përmbajtjen, ajo që e quani ju mungesa e transparencës. Unë nuk mendoj se ka pasur mungesë transparence, por mendoj se ka pasur mungesë jo të mirë të komunikimit. Për këtë, sigurisht jam shumë i ndërgjegjshëm. Unë e kam parë procesin nga Brukseli. Mendoj se duhet të kishim komunikuar më mirë dhe është absolutisht ajo që po mundohemi të bëjmë tani. Mendoj se tani është momenti më i mirë për të barë, sepse kemi hapur gjithë këto kapituj. Në këtë ministri dhe me ekipin tim do të jemi të angazhuar për diskutime të pandërprera. Ajo që është thelbi i mungesës së transparencës ka të bëjë me pozicionet negociuese të Shqipërisë. Shqipëria për çdo hapje të grupkapitujve ka përgatitur pozicionin negociues. Ky është një dokument i përgatitur nga grupi negociator. Në çdo konferencë ndërqeveritare që kemi bërë, Shqipëria ka shkuar me pozicion negociues.
Ka një ligj të miratuar në vitin 2015 që ka vendosur se pozicioni negociues do të duhej të ishte një dokument i rezervuar. Por në paraqitjet e delegacionit shqiptar, në paraqitjet tona në konferencat ndërqeveritare, aty ky është elementi kryesor, që është elementi i punës. Ne sot po i bëjmë reformat. Po mundohemi të shkojmë në mbylljen e kapitujve bazuar në atë dokument që është i përbashkët. Natyrisht, është qëndrim i vendeve anëtare, por ato janë edhe angazhime për ne. Ne nuk i diskutojmë ato.
KE, pasi ka marrë gjithçka që i kemi çuar ne, 92 hapa konkretë, mbi këtë raport është hartuar IBAR, të cilin Komisioni ia ka paraqitur Këshillit. Vende të ndryshme kanë pyetje të ndryshme. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që 27 vendet anëtare të marrin një raport dhe të mos kenë pyetje. Ky është ushtrim klasik. Pyetjet mund të merrnin 4-8 javë, por nuk e kemi ne në dorë. Në bazë të pyetjeve, është Komisioni që jep përgjigje. Ne nuk jemi atje. Nëse do ketë fusha ku nuk kemi qenë bindës, do futen në procesin vijues që do jenë piketat përmbyllëse. Malit të Zi i janë dashur 8 vite për të hapur gjithë kapitujt, 13 muaj iu deshën Shqipërisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






