

Zbutja e dënimit për autorin e vrasjes së policit, ministri Lamallari: Sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor
Pas vendimit të gjykatës për zbutjen e dënimit për autorin e vrasjes së oficerit të policisë në Fier, Novruz Cenalia, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka bërë një reagim duke e cilësuar këtë vendim si një akt me pasoja të rrezikshme, që cenon jo vetëm emrin dhe sakrificat e punonjësve të policisë, si dhe kërcënon rendin ligjor dhe vetë shtetin.
Ministri nënvizon se megjithëse nuk është njohur me arsyetimin e plotë të trupës gjyqësore, masa e dhënë, e cila është tejet e butë në raport me krimin e kryer, “është thellësisht shqetësuese".
Më poshtë reagimi i tij i plotë:
Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor.
Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës.
Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë."
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






