

Vendosja e termocentraleve lundruese në Vlorë, të njohura si “Dy Tigra”, rezulton të ketë pasur një kontribut minimal në prodhimin vendas të energjisë elektrike, ndërkohë që kostot e tyre vijojnë të mbeten të konsiderueshme.
Në fund të vitit 2021, përballë një krize të paralajmëruar energjetike, qeveria shqiptare ndërmori procedurat për marrjen me qira të aseteve termike, me synim sigurimin e një pjese të prodhimit përmes burimeve me bazë nafte. Si rezultat, në vjeshtën e vitit 2022, dy termocentrale lundruese u vendosën në Vlorë.
Në atë periudhë, kjo ndërhyrje u konsiderua e justifikuar për shkak të çmimeve rekord të energjisë në tregjet ndërkombëtare, të cilat kulmuan në gusht të vitit 2022. Megjithatë, me kalimin e kohës dhe zbutjen e krizës, këto njësi nuk u aktivizuan asnjëherë plotësisht për të justifikuar koston e tyre, e cila mbetet ende e paqartësuar në mënyrë zyrtare.
Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, gjatë vitit 2025, termocentralet lundruese prodhuan rreth 77 mijë MWh energji elektrike. Kjo përfaqëson vetëm 1% të prodhimit neto vendas, i cili arriti në 7.44 milionë MWh.
Këto asete janë nën administrimin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila zotëron gjithashtu hidrocentralet e Kaskadës së Lumit Drin, Termocentralin e Vlorës dhe impiantin fotovoltaik “Qyrsaq”. Kapaciteti total i instaluar i KESH arrin në rreth 1,563 MW, ku pjesën më të madhe e zënë hidrocentralet me 1,350 MW, ndërsa termocentralet lundruese kanë një kapacitet prej rreth 110 MW.
Kosto e lartë dhe eficiencë e ulët
Prodhimi i energjisë nga burime termike ka rezultuar historikisht më i kushtueshëm krahasuar me format e tjera të prodhimit, duke vënë në pikëpyetje leverdishmërinë ekonomike të kësaj zgjedhjeje.
Sipas një skenari të hartuar për vitin 2023, prodhimi nga këto njësi parashikohej të arrinte në 884 GWh, me një kosto prej rreth 185 euro/MWh, ose rreth 165 milionë euro në total. Megjithatë, ky projeksion nuk u realizua, citon Monitor.
Ndërkohë, vlera fillestare e gjeneruesve është vlerësuar në rreth 15 milionë euro, ndërsa qiraja për një periudhë dyvjeçare ishte llogaritur në rreth 46 milionë dollarë. Kjo kosto pritet të jetë rritur ndjeshëm, duke qenë se afati i qëndrimit të tyre në Vlorë tashmë është tejkaluar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






