

Rritje e ndjeshme e lëvizjeve ndërkufitare është regjistruar gjatë orëve të mbrëmjes në pikën kufitare të Kapshticës, ku emigrantët shqiptarë po kthehen nga Greqia për të festuar Pashkët pranë familjarëve të tyre.
Autoritetet shqiptare kanë marrë masa për përballimin e fluksit, duke shtuar numrin e sporteleve në funksion. Aktualisht, në hyrje të territorit shqiptar operojnë pesë sportele, ndërsa në dalje një sportel.
Sipas të dhënave, fluksi më i madh është regjistruar në hyrje, megjithatë pala shqiptare ka arritur të shmangë krijimin e radhëve dhe pritjeve të gjata falë menaxhimit të situatës dhe funksionimit maksimal të sporteleve.
Ndërkohë, situata paraqitet më e ngarkuar në palën greke, ku sipas udhëtarëve pritjet kanë arritur deri në një orë e 30 minuta.
Autoritetet kufitare vijojnë të monitorojnë situatën, duke paralajmëruar se fluksi i lëvizjeve pritet të rritet edhe në ditët në vijim, për shkak të festës së Pashkës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






