Transmetuar më 09-04-2026, 20:37

Zhvillime të reja janë shënuar në hetimet për çështjen e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku Gjykata e Apelit e Posaçëm ka këshilluar SPAK që të zgjerojë hetimet edhe ndaj dëshmitarit të konsideruar “kyç”, Daniel Shima.

Sipas të dhënave nga dosja hetimore, Shima, aktualisht në cilësinë e dëshmitarit, rezulton të ketë pasur rol aktiv në procedurat e dyshuara për manipulimin e tenderave publikë në AKSHI, megjithëse ndaj tij ende nuk është ngritur një akuzë zyrtare.

Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit e Posaçëm orienton prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, që të ushtrojnë ndjekje penale ndaj Shimës, si dhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë që kanë qenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Nga dëshmitë e dhëna gjatë hetimeve, Shima ka pranuar se procedurat e prokurimit publik kanë qenë të paracaktuara dhe se vendimmarrjet për shpalljen e fituesve janë orientuar nga drejtuesit e institucionit, konkretisht nga Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi, të cilat ndodhen aktualisht nën masë sigurie “arrest shtëpie”.

Sipas rrëfimeve, anëtarët e komisioneve kanë vepruar si zbatues të urdhrave të dhëna nga drejtuesit, ndërsa procedurat janë zhvilluar në mënyrë fiktive, me qëllim favorizimin e operatorëve të caktuar ekonomikë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se në disa raste janë vendosur kritere përjashtuese të padrejta, janë manipuluar fondet limite dhe janë krijuar gara të rreme, ku kompani të ndryshme kanë marrë pjesë vetëm për të simuluar konkurrencën.

Në dosje përmendet edhe përdorimi i një “artifice ligjore” lidhur me zonën e klasifikuar “Data-Center”, përmes së cilës kërkohej certifikim sigurie për operatorët ekonomikë, edhe kur kjo nuk justifikohej ligjërisht. Ky mekanizëm dyshohet se është përdorur për të përjashtuar subjektet e padëshiruara nga gara.

Gjykata thekson se, bazuar në provat dhe deklarimet e administruara, ekziston nevoja që ndaj të gjithë personave përgjegjës të ndiqet një zgjidhje ligjore në vijim të hetimeve.

Ndërkohë, hetimet e SPAK vijojnë për të zbardhur plotësisht mekanizmin e dyshuar të manipulimit të tenderave në këtë institucion.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit