Transmetuar më 09-04-2026, 19:49

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se duke nisur nga data 10 prill 2026, qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës Zona Shengen do të përballen me procedura të reja në pikat kufitare.

Sipas njoftimit zyrtar, hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (EES), një mekanizëm elektronik i Bashkimi Evropian, i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin digjital të hyrjeve dhe daljeve për shtetasit nga vendet jashtë BE-së.

Ky sistem, i cili ishte në zbatim të pjesshëm që prej tetorit 2025, tashmë do të aplikohet në mënyrë të plotë në 29 vendet e hapësirës Shengen. Ai vlen për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, pa ndryshuar rregullat ekzistuese.

Në hyrjen e parë pas hyrjes në fuqi të sistemit, qytetarëve shqiptarë do t’u regjistrohen të dhënat e pasaportës, fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve. Refuzimi për të dhënë këto të dhëna biometrike do të sjellë refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.

Autoritetet paralajmërojnë se në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet të paraqiten më herët për udhëtim dhe të verifikojnë vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit.

Ndërkohë, theksohet se nuk kërkohet aplikim paraprak për sistemin EES, pasi regjistrimi kryhet në momentin e kalimit të kufirit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u bën thirrje qytetarëve të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet duke marrë parasysh kohën shtesë për kontrollet kufitare.

NJOFTIM PËR QYTETARËT SHQIPTARË QË UDHËTOJNË DREJT VENDEVE TË HAPËSIRËS SHENGEN

Mbi hyrjen në funksion të plotë të Sistemit Evropian të Hyrje/Daljes (EES) Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon qytetarët shqiptarë se, duke filluar nga data 10 prill 2026, në 29 vendet e hapësirës Shengen hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian. Ky sistem, i cili ka nisur të zbatohet pjesërisht që prej tetorit 2025, do të aplikohet për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, në zonën Shengen. Qytetarët duhet të kenë parasysh sa vijon: • Në hyrjen e parë pas datës 10 prill 2026, në pikën kufitare do të regjistrohen: o të dhënat e pasaportës; o fotografia e fytyrës; o gjurmët e gishtërinjve. • Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike sjell refuzimin e hyrjes në territorin Shengen. • Në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore; për këtë arsye, qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim. • Pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike. • Nuk kërkohet aplikim paraprak për EES; regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar. • Sistemi nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit: maksimumi 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rekomandon që qytetarët të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë në konsideratë kohën shtesë të nevojshme për kontrollet kufitare. Për informacione të mëtejshme, qytetarët mund të konsultojnë faqen zyrtare të Bashkimit Evropian për EES:

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit