

TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e opozitës për zhvillimin e një interpelance me kryeministrin Edi Rama, si dhe propozimin për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të një projektligji mbi zbutjen e efekteve të rritjes së çmimeve të karburanteve.
Gjatë seancës plenare, përfaqësues të mazhorancës argumentuan se opozita duhet të ndjekë procedurat parlamentare dhe të paraqesë propozimet për diskutim dhe negociim. Taulant Balla u shpreh se mazhoranca është e gatshme të shqyrtojë nisma të opozitës, por jo pa një proces të rregullt institucional.
Nga ana tjetër, opozita ngriti shqetësime për mungesë transparence në procesin e integrimit evropian dhe kërkoi llogaridhënie nga kreu i qeverisë. Klevis Balliu këmbënguli për zhvillimin e interpelancës me kryeministrin.
Në përgjigje, Niko Peleshi deklaroi se kërkesa nuk mund të pranohej, pasi nuk përmbushte kriteret për thirrjen e një interpelance.
Megjithatë, Kuvendi miratoi zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian.
Në vijim të seancës, deputetë të opozitës paraqitën kërkesa të tjera për interpelanca me anëtarë të kabinetit qeveritar, ndërsa diskutimet për projektligjet u shoqëruan me replika të ashpra mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, përfshirë edhe një debat mes Gazment Bardhi dhe ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






