

TIRANË – Dy shtetas shqiptarë të dënuar për vrasje janë arrestuar në Itali, si rezultat i bashkëpunimit mes Policia e Shtetit dhe autoriteteve italiane.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasit Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ata janë dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë në vitin 2001 për veprat penale “vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Arrestimi i tyre u bë i mundur pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma, me koordinimin e Interpol.
Sipas autoriteteve, dy vëllezërit kishin siguruar leje qëndrimi në Itali duke përdorur identitete të rreme. Identifikimi i tyre u realizua përmes teknologjisë së avancuar biometrike “Facial Recognition”, e përdorur nga strukturat e Interpolit.
Ngjarja për të cilën ata janë dënuar daton në vitin 1999, në Lushnjë, ku dyshohet se vranë me armë zjarri një shtetas për motive gjakmarrjeje, pasi viktima kishte vrarë më parë vëllanë e tyre.
Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se vijon bashkëpunimi me palën italiane për të përfunduar procedurat e ekstradimit të tyre drejt Shqipërisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






