Transmetuar më 09-04-2026, 15:13

TIRANË – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se sektori i ndërtimit në vend nuk duhet të konsiderohet si i lidhur me aktivitete kriminale, por si një tregues i zhvillimit dhe transformimit ekonomik.

Gjatë një bashkëbisedimi me sipërmarrës, Rama theksoi se ekonomia shqiptare po shënon rritje të qëndrueshme, duke nënvizuar rolin e investimeve në ndërtim.

Ai theksoi se nuk është e drejtë që të gjithë aktorët e këtij sektori të etiketohen si të lidhur me krimin, ndërsa solli si shembull një projekt konkret, nga i cili, sipas tij, Bashkia e Tiranës ka përfituar 14 milionë euro në formë taksash edhe para nisjes së punimeve.

Sipas Ramës, projekti në fjalë parashikon gjithashtu ndërtimin e infrastrukturës sociale, përfshirë çerdhe, kopshte dhe potencialisht një shkollë, në varësi të angazhimeve të investitorit.

Kryeministri shtoi se aktualisht 350 apartamente në këtë kompleks janë porositur nga diaspora shqiptare dhe pagesat janë kryer përmes sistemit bankar, duke e konsideruar këtë si tregues të besimit në treg.

Në përfundim, Rama ritheksoi se zhvillimet në sektorin e ndërtimit janë pjesë e një transformimi më të gjerë ekonomik dhe nuk duhet të interpretohen si fenomene kriminale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit