Transmetuar më 09-04-2026, 13:51

Një incident i rëndë është regjistruar në zonën Gardolo në Itali, ku tre vëllezër shqiptarë kanë dhunuar pronarin e lokalit “Milena” pas një konflikti për zhurmën e muzikës.

Sipas mediave italiane, ngjarja nisi kur pronari konstatoi mungesën e energjisë elektrike dhe doli për të kontrolluar sahatin e pallatit. Në momentin që dera iu hap, ai u sulmua menjëherë nga një prej vëllezërve, i cili e akuzoi për muzikë të lartë.

Pavarësisht sqarimeve se lokali mbyllej në orën 20:00, situata u përshkallëzua dhe pronari u godit me kokë, duke përfunduar në tokë. Ai arriti të strehohej brenda lokalit për të kërkuar ndihmë, ndërsa në vendngjarje mbërritën forcat e rendit.

Tensioni vijoi kur dy vëllezërit e tjerë iu bashkuan konfliktit, duke shkatërruar ambientet e lokalit. Tavolina dhe karrige u hodhën drejt xhamit, duke e thyer atë dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Gjatë ndërhyrjes së policisë, përplasja u intensifikua, duke lënë një karabinier të plagosur dhe duke dëmtuar pajisjen “taser” të një tjetri.

Tre vëllezërit, rezidentë në Trento, janë arrestuar dhe po përballen me drejtësinë, ndërsa pronari i lokalit ndodhet në spital me dëmtime të shumta dhe traumë në kokë. Në seancën gjyqësore të 8 prillit, avokati i tij kërkoi një dëmshpërblim prej 70 mijë eurosh, ndërsa çështja është shtyrë për shqyrtim të mëtejshëm.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit