

Bordi i Transparencës vendos çmimet e reja të karburanteve, ja sa do të kushtojnë nga sot
Bordi i Transparencës ka miratuar në mbledhjen e datës 9 prill 2026 çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në vend, të cilat hynë në fuqi sot në orën 14:30 dhe do të mbeten të vlefshme deri në një vendim të ri.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është përcaktuar në 210 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë në 198 lekë për litër. Ndërkohë, për benzinën çmimi maksimal me pakicë është vendosur në 173 lekë për litër dhe me shumicë në 161 lekë për litër.
Më herët, dje, nafta u caktua 220 lekë dhe benzina 181 lekë.
Autoritetet theksojnë se të gjithë operatorët që ushtrojnë aktivitet në tregtimin me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës janë të detyruar të zbatojnë këtë vendim. Në rast të shkeljeve, parashikohet pezullimi i aktivitetit për subjektet përkatëse.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg.
Sipas një sqarimi zyrtar, bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, që parashikon uljen e akcizës në rast se çmimet e karburanteve kalojnë disa nivele të caktuara, çmimet aktuale janë nën këto kufij. Për këtë arsye, akciza do të vijojë të zbatohet në nivel të plotë, pra 100 për qind.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






