Transmetuar më 09-04-2026, 12:16

Partia Demokratike ka dalë kundër ndryshimeve në ligjin për portet turistike, duke ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe cenim të konkurrencës së ndershme.

Në një letër drejtuar ambasadorëve të vendeve të Bashkimi Evropian, si dhe zyrtarëve të lartë evropianë, Jorida Tabaku, në cilësinë e nënkryetares së Komisionit të Stabilizim-Asociimit, ka renditur një sërë shqetësimesh lidhur me amendimet e propozuara.

Sipas saj, ndryshimet parashikojnë që projektet me status “investim strategjik” të mund të ndërtojnë dhe operojnë porte turistike pa kaluar në procedura konkurruese apo koncesionare. Kjo, sipas PD-së, krijon avantazhe selektive për investitorë të caktuar dhe rrezikon të përjashtojë operatorë të tjerë nga tregu.

Në argumentimin e saj, Tabaku i referohet edhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, konkretisht Nenit 71, i cili kërkon shmangien e çdo mase që mund të shtrembërojë konkurrencën në treg.

Po ashtu, ajo thekson se nisma bie ndesh me parimet e prokurimit publik në BE, të cilat kërkojnë:

procedura të hapura, transparencë, trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Sipas PD-së, përfshirja e ndërtimit dhe operimit të porteve turistike brenda projekteve private, pa garë të hapur, përbën devijim nga praktikat evropiane dhe mund të ndikojë negativisht në menaxhimin e infrastrukturës strategjike.

Çështja pritet të ngjallë debat të mëtejshëm politik dhe institucional, në një kohë kur Shqipëria synon avancimin në procesin e integrimit evropian.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit