

Një sondazh i ri amerikan i “POLITICO Pulse” tregon një ndryshim të fortë në perceptimin e europianëve ndaj SHBA-së, duke e renditur atë si kërcënim më të madh se Kina në disa nga vendet kryesore të BE-së.
Sipas të dhënave, vetëm 12% e qytetarëve të anketuar në Poloni, Spanjë, Belgjikë, Francë, Gjermani dhe Itali e konsiderojnë SHBA-në si aleat të afërt, ndërsa 36% e shohin si kërcënim. Në krahasim, Kina konsiderohet kërcënim nga 29% e të anketuarve.
Në nivel vendesh, SHBA renditet si kërcënim më i madh se Kina në Spanjë, Itali, Belgjikë dhe Gjermani.
Spanja rezulton vendi më kritik ndaj SHBA-së, ku 51% e të anketuarve e konsiderojnë një kërcënim. Në Itali kjo shifër është 46%, në Belgjikë 42%, në Francë 37% dhe në Gjermani 30%. Përjashtim bën Polonia, ku vetëm 13% e shohin SHBA-në si rrezik, për shkak të varësisë së saj nga aleanca me Uashingtonin për siguri.

Sondazhi tregon gjithashtu një rritje të dëshirës për autonomi strategjike europiane. Rreth 86% e të anketuarve mendojnë se Europa duhet të zhvillojë kapacitetet e veta të mbrojtjes, ndërsa 69% mbështesin krijimin e një force të përbashkët ushtarake europiane.
Megjithatë, mbështetja bie kur bëhet fjalë për përfshirje personale. Vetëm 19% deklarojnë se do të merrnin armët në rast sulmi ndaj vendit të tyre, ndërsa 47% preferojnë role jo-luftarake si logjistikë apo ndihmë mjekësore. Një pjesë tjetër do të mbështesnin pa marrë pjesë drejtpërdrejt ose do të largoheshin nga vendi.
Rusia mbetet kërcënimi më i madh, me 70% të të anketuarve që e konsiderojnë armik të qartë.
Sa i përket shpenzimeve për mbrojtje, opinionet janë të ndara: 37% mendojnë se vendet e tyre shpenzojnë mjaftueshëm, 37% se nuk është mjaftueshëm dhe 22% se është tepër. Gjermania, Franca dhe Spanja kërkojnë rritje të buxhetit, ndërsa në Itali 39% mendojnë se shpenzimet janë të larta. Polonia dallon, ku shumica (56%) i konsiderojnë shpenzimet aktuale të përshtatshme.
Sondazhi nxjerr në pah edhe ndarje mbi mbështetjen për Ukrainën: 34% thonë se Europa nuk po bën mjaftueshëm, 31% mendojnë se është në nivelin e duhur dhe 30% se po bën shumë.
Megjithatë, mbështetja për mbrojtjen kolektive mbetet e fortë. 76% janë pro dërgimit të ushtrisë për të mbrojtur një aleat të NATO-s, ndërsa 81% për një vend anëtar të BE-së.
Sondazhi u realizua nga Cluster17 për POLITICO dhe beBartlet, duke përfshirë 6,698 qytetarë nga gjashtë vende europiane gjatë periudhës 13–21 mars.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






