

Sot zhvillohet seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku pritet të diskutohen një sërë çështjesh me rëndësi, që nga interpelancat me anëtarë të qeverisë deri te shqyrtimi i projektligjeve dhe kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore.
Në fokus të seancës do të jetë interpelanca e kërkuar nga deputeti Erion Braçe me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla. Po ashtu, është parashikuar një seancë pyetje–përgjigje me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës lidhet me shqyrtimin e kërkesave të opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Komisioni i parë synon kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së Autoritetit Rrugor Shqiptar në realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore. Ndërsa komisioni i dytë ka në fokus verifikimin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me theks te siguria kibernetike, mbrojtja e të dhënave të qytetarëve dhe analizimi i rreziqeve për sigurinë kombëtare, në kuadër edhe të detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Gjatë seancës do të shqyrtohen gjithashtu dy projektligje: një për ndryshime në ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë” dhe një tjetër për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në rendin e ditës përfshihet edhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Seanca zhvillohet në mbështetje të urdhrit nr. 23, datë 7 prill 2026, të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






