Transmetuar më 08-04-2026, 22:27

LOS ANGELES – Jasveen Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, është dënuar me 15 vjet burg për shpërndarjen e ketaminës që çoi në vdekjen e aktorit të serialit të njohur amerikan, Friends, Matthew Perry.

42-vjeçarja pranoi fajin për pesë akuza, përfshirë shpërndarjen e ketaminës që rezultoi në vdekje ose lëndim trupor. Prokurorët përshkruan shtëpinë e saj si një “emporium shitjeje droge” që i siguronte një stil jetese luksoz. Autoritetet federale gjetën dhjetëra doza ketamine dhe mijëra tableta të tjera droge, përfshirë metamfetaminë, kokainë dhe Xanax, të cilat Sangha i shpërndante që nga viti 2019 nga North Hollywood.

Matthew Perry, i njohur për rolin e Chandler Bing, luftoi për dekada me varësinë nga substancat dhe u gjet i vdekur në tetor 2023 në vaskën e ujit të ngrohtë të shtëpisë së tij. Hetuesit konfirmuan se shkaku i vdekjes ishte përdorimi i ketaminës, një anestezik disociativ me efekte halucinogjene, i cili duhet përdorur vetëm nën mbikëqyrje mjekësore.

Para shpalljes së dënimit, njerka e Perry-t, Debbie Perry, i kërkoi gjykatës të japë maksimumin e dënimit: “Ti shkakrove këtë… Ti, që ke talent për biznes, zgjodhe rrugën që dëmton njerëzit,” tha ajo.

Sangha është një nga pesë personat që autoritetet federale thonë se i kanë furnizuar Perry-n me ketaminë. Të tjerët, përfshirë mjekët Dr. Salvador Plasencia dhe Dr. Mark Chavez, si dhe asistenti i aktorit, Kenneth Iwamasa, kanë pranuar fajin ose janë dënuar me masa të ndryshme.

Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe, duke nxjerrë në pah rreziqet e shpërndarjes së drogës dhe ndikimin tragjik të varësisë nga substancat tek individë të famshëm dhe familjet e tyre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit