Transmetuar më 08-04-2026, 21:32

BELGJIKË – Autoritetet në Belgjikë kanë arrestuar tre shtetas shqiptarë, të dyshuar për përfshirje në disa raste vjedhjesh banesash në zona të ndryshme të vendit.

Sipas mediave vendase, arrestimi i tyre u bë në Dilbeek, ku ata u gjetën duke fjetur në automjetin e tyre. Policia kishte rënë në gjurmët e tyre pasi njëri prej të dyshuarve kishte lënë aktiv lokalizuesin e telefonit celular, çka ndihmoi në identifikimin dhe ndjekjen e lëvizjeve të tyre.

Në automjet, efektivët gjetën mjete të përdorura për vjedhje, si dhe sende të dyshuara të vjedhura, përfshirë monedha ari, bizhuteri, parfume, veshje dhe çanta dore. Një pjesë e këtyre sendeve rezulton të jetë e lidhur me të paktën pesë raste vjedhjesh në banesa në zona si Puurs-Sint-Amands, Temse dhe Dilbeek.

Sipas prokurorisë, ekzistojnë dyshime se të arrestuarit mund të jenë të përfshirë edhe në raste të tjera, pasi disa prej sendeve të sekuestruara nuk janë identifikuar ende nga viktimat.

Të tre personat kanë pranuar faktet dhe kanë deklaruar se kishin lënë vendin e tyre për të punuar në Mbretëria e Bashkuar, por kishin përfunduar në Belgjikë pas një mashtrimi dhe në kushte të vështira ekonomike.

Prokuroria ka kërkuar dënimin e tyre me 18 muaj burg efektiv, ndërsa avokatët mbrojtës kanë kërkuar një masë më të lehtë, duke argumentuar se veprat janë kryer në kushte dëshpërimi. Vendimi i gjykatës pritet të shpallet më 4 maj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit