

TIRANË – Eksperti i kriminalistikës dhe ish-drejtuesi i policisë, Artan Rexhepi, ka deklaruar se paraburgimi “313” në kryeqytet nuk plotëson më kushtet për funksionim dhe konsiderohet i degraduar nga ana strukturore.
Në një intervistë Rexhepi theksoi se godina ka pësuar dëmtime të pakthyeshme dhe nuk mund të rikonstruktohet për të vijuar të shërbejë si institucion paraburgimi.
Sipas tij, ekziston edhe një dokument i Instituti i Ndërtimit që evidenton problematikat strukturore të objektit, duke e bërë të pamundur rikthimin e tij në standardet e kërkuara.
Eksperti ngriti shqetësime edhe për sigurinë, duke argumentuar se vendndodhja e burgut pranë zonave të banuara përbën rrezik, pasi mund të krijojë mundësi për sulme nga jashtë ndaj personave të paraburgosur me profil të lartë.
“Objekti ka degjenerime të theksuara dhe nuk mund të përdoret më si burg. Institucionet e vuajtjes së dënimit duhet të ndërtohen jashtë qyteteve, sipas praktikave ndërkombëtare,” u shpreh Rexhepi.
Paraburgimi “Jordan Misja”, i njohur ndryshe si “313”, aktualisht strehon disa persona të përfshirë në çështje të bujshme të krimit të organizuar, si dhe figura të njohura publike, mes tyre edhe ish-presidentin Ilir Meta.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






