Transmetuar më 08-04-2026, 20:55

Një raport i ri i publikuar nga OpenAI ngre shqetësime mbi ndikimin që zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale mund të ketë te familjet e zakonshme, veçanërisht nëse mungojnë politika të mirëstrukturuara për shpërndarjen e përfitimeve.

Në dokumentin 13-faqësh të titulluar “Politika Industriale për Epokën e Inteligjencës”, kompania thekson se avancimi i teknologjisë mund të çojë në humbje vendesh pune, dobësim të rrjeteve të sigurisë sociale dhe rritje të kostove të jetesës, duke prekur më së shumti shtresat e mesme dhe të ulëta.

Sipas raportit, ekziston rreziku që inteligjenca artificiale të përqendrohet “në duart dhe në përfitim të një pakice”, nëse qeveritë nuk ndërhyjnë në kohë për të garantuar një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve që sjell kjo teknologji.

Dokumenti vë në dukje se shqetësimet e qytetarëve janë tashmë të pranishme, duke përfshirë pasigurinë për vendet e punës, ndikimin në jetën familjare, si dhe efektet e mundshme të infrastrukturës teknologjike – si qendrat e të dhënave – në komunitete dhe në çmimet e energjisë.

OpenAI argumenton se ndryshime të vogla në politika nuk do të jenë të mjaftueshme për të përballuar ndikimet e mundshme të inteligjencës artificiale në fusha si tregu i punës, sistemi fiskal, shërbimet publike, siguria kibernetike dhe biosiguria.

Kompania e krahason këtë periudhë me transformimet e mëdha të Epokës Industriale, duke theksuar se ashtu si atëherë, edhe sot mund të nevojiten reforma të thella për të rindërtuar kontratën sociale në kushtet e një ekonomie të dominuar nga inteligjenca artificiale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit