

GREQI – Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Hania, ku një mësues muzike është arrestuar nën akuzën për abuzim seksual ndaj një nxënëseje 14-vjeçare.
Sipas autoriteteve, arrestimi u krye mbrëmjen e djeshme, pas kallëzimit të paraqitur nga e mitura dhe prindërit e saj në strukturat e sigurisë vendase. Denoncimi çoi në një reagim të menjëhershëm të policisë, e cila arriti të lokalizojë dhe të ndalojë të dyshuarin në një zonë të qytetit.
Nga hetimet paraprake mësohet se mësuesi dyshohet të ketë kryer veprime të përsëritura abuzive ndaj të miturës përgjatë gjashtë muajve të fundit, kryesisht në kuadër të mësimeve të muzikës.
E mitura, sipas burimeve, kishte rrëfyer përjetimin e një situate të rënduar psikologjike dhe të vazhdueshme, çka e kishte shtyrë të tregonte ngjarjen tek prindërit, të cilët më pas iu drejtuan menjëherë policisë.
Pas arrestimit, i dyshuari u paraqit këtë të mërkurë para organeve hetimore dhe prokurorit të shkallës së parë, ndërsa pritet vijimi i procedurave ligjore ndaj tij.
Ndërkohë, një psikologe e policisë ka marrë në pyetje të miturën, duke siguruar dëshmi të detajuara mbi rastin. Autoritetet bëjnë me dije se, për shkak të natyrës së rëndë të akuzave dhe moshës së viktimës, ekzistojnë indicie të forta që mbështesin çështjen.
Prokuroria po shqyrton gjithashtu mundësinë e publikimit të të dhënave të të arrestuarit, me qëllim identifikimin e viktimave të tjera të mundshme që ende nuk kanë denoncuar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






