

DURRËS – Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në një kompleks industrial në Durrës, ku operojnë kompani në fushat e transportit, riciklimit dhe përpunimit industrial.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri të ditur se po përgatitet një skemë e re pensionesh, e cila synon të plotësojë dhe të forcojë sistemin aktual. Sipas tij, kjo nismë do t’u japë mundësi punonjësve të kursejnë më shumë për të ardhmen, përmes një mekanizmi të mbështetur nga shteti.
Rama shpjegoi se skema parashikon një kontribut të dyfishtë: për çdo shumë që punonjësi vendos të kursejë nga paga e tij mujore, shteti do të kontribuojë me të njëjtën shumë në fondin individual të pensionit.
“Jemi duke përgatitur një skemë të re të pensioneve, e cila nuk do ta zëvendësojë, por do ta pasurojë skemën aktuale. Çdo punonjës do të ketë mundësinë të vendosë një përqindje nga paga në një fond të veçantë, ndërsa shteti do ta shoqërojë këtë kontribut me të njëjtën shumë,” u shpreh Rama.
Sipas tij, kjo skemë do të funksionojë si një bashkëpunim mes shtetit dhe sektorit privat, duke krijuar një fond të qëndrueshëm në afatgjatë, që synon të rrisë sigurinë financiare të qytetarëve pas daljes në pension.
Pjesa e plotë:
"Ne jemi duke përgatitur një skemë të re për pensionet që nuk do ta zëvendësojë, por do ta pasurojë skemën aktuale duke i dhënë mundësi të gjithë punonjësve që duan të kursejnë më shumë për pensionin, që të vendosin në një fond të veçantë çfarëdolloj përqindje nga paga, të cilën shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë.
Pra, nëse po themi dikush vendos që të nxjerrë nga paga 1 euro për ta vendosur çdo muaj në fondin e vetë të pensionit, që pastaj t’i shtohet në fund pensionit që ai do të marrë nga skema normale, shteti do të vendosë 1 euro tjetër dhe kështu do bëhen 2 euro dhe natyrisht kjo do të jetë e kombinuar, shteti për punonjës e shtetit, privati për punonjësit e vetë dhe kjo do të bëjë që fondi i pensioneve të fillojë pak nga pak të marri formë dhe të jetë një fond që garanton, qoftë ata që investojnë tek fondi, por garanton edhe lidhjen mes privatit dhe punonjësit, në një afat të gjatë sepse ajo që po shohim në këtë kohë kur teknologjia po bën transformime të mëdha dhe po zëvendëson njeriun në disa aspekte është njëkohësisht nevoja për burime shumë të specializuara njerëzore dhe në fund të ditës është shumë e qartë që robotët nuk do arrijnë dot të plotësojnë të gjitha nevojat për burime njerëzore të sipërmarrjes dhe prandaj çdo sipërmarrje sot është shumë e interesuar për punonjësit e specializuara apo për punonjës që janë të gatshëm të specializohen dhe sot jemi në një kohë kur s’është më pyetja: Sa mund të të paguaj? Por pyetja është: Sa ti je në gjendje të bësh punën që unë kam nevojë? Dhe unë pastaj të paguaj pa problem. Domethënë nuk është më koha kur kompanitë shqiptare kursejnë tek pagat, por është koha kur kanë vështirësi për të pasur specialistët e duhur në atë në atë numër që ata duan. Dhe ky është fakti sot, kompania këtu ka 15 specialistë të lartë për punët që ka, i duhen 40 dhe nuk është se i ka 25 të tjerët që i mungojnë te dera dhe s’po i merr se ka hallin se nuk i paguan dot, po është e gatshme t’i paguajë, por nuk i ka dhe ky është një moment sa shqetësues, aq edhe pozitiv sepse do të thotë që mundësitë e punësimit janë dhe punësim me paga shumë të mira."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






