

Gjykata e Tiranë dënon me 6 vite burgim Altin Çokun për rastin e Sibela Abedinit
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 6 vite burgim shtetasin Altin Çoku, i akuzuar për shtyrjen drejt vetëvrasjes së një 27-vjeçareje, nënë e një fëmije të mitur.
Vendimi është marrë pas shqyrtimit të dosjes gjyqësore, ku trupa gjykuese e shpalli fajtor për veprën penale “shkaktimi i vetëvrasjes”, ndërsa pushoi akuzën për “përndjekje”. Më herët, prokurori i çështjes, Drini Pali, kishte kërkuar dënimin me 9 vite burgim.
Sipas hetimeve, i pandehuri kishte publikuar në rrjetin social TikTok materiale intime të viktimës, Sibela Abedini, duke i shkaktuar asaj gjendje të rënduar psikologjike, ankth dhe depresion.
Ngjarja e rëndë ndodhi në shkurt të vitit 2024, në zonën e Bathore, ku viktima u vetëhodh nga kati i katërt i një ndërtese. Ajo u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Sipas materialeve hetimore, viktima kishte pasur një marrëdhënie intime me të pandehurin, i cili kishte realizuar dhe më pas publikuar foto private pa pëlqimin e saj. Ky veprim, sipas organit të akuzës, ndikoi drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes së saj emocionale, duke e çuar drejt aktit ekstrem.
Pas ngjarjes, policia arrestoi Altin Çokun, ndërsa procesi gjyqësor përfundoi me dënimin e tij me 6 vite burgim.
Rasti ka rikthyer në vëmendje rreziqet që lidhen me shpërndarjen e materialeve intime në rrjetet sociale dhe pasojat e rënda që mund të sjellin për viktimat.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






