Transmetuar më 08-04-2026, 16:46

Një situatë shqetësuese është evidentuar në sistemin penitenciar në Shqipëri, ku sipas të dhënave të publikuara, nga janari i vitit 2020 deri në shtator 2025 kanë humbur jetën 134 të burgosur, ndërsa 5 të tjerë janë raportuar të vdekur vetëm në tre muajt e parë të vitit 2026.

Avokati Saimir Vishaj, në një intervistë për Top News, e cilësoi situatën si alarmante, duke theksuar se të burgosurit me sëmundje të rënda po humbin jetën në kushte të papërshtatshme.

Sipas tij, është e domosdoshme rikthimi i dispozitave ligjore që mundësojnë lirimin e personave që vuajnë nga sëmundje të rënda, pasi, në të kundërt, ata rrezikojnë jetën në qeli. Vishaj theksoi se, në disa raste, edhe kur ekspertët mjekësorë kanë konfirmuar gjendje kritike të të dënuarve, kërkesat për shuarje të dënimit nuk janë marrë parasysh nga gjykatat.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime për kushtet higjieno-sanitare në burgje, duke paralajmëruar për përhapjen e sëmundjeve infektive. Sipas tij, numri i të prekurve nga SIDA është në rritje të ndjeshme, çka kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.

Avokati kritikoi edhe mungesën e reagimit institucional dhe zvarritjen e premtimeve për amnisti, duke theksuar nevojën për përmirësim të menjëhershëm të kushteve dhe trajtimit të të burgosurve.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur debati për të drejtat e të burgosurve dhe standardet në institucionet e vuajtjes së dënimit mbetet i hapur në vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit