Transmetuar më 08-04-2026, 13:42

Për një vit e gjysmë, një grua 39 vjeçare në Elbasan ka duruar përndjekjen e vazhdueshme dhe të pandalshme nga një djalë 7 vjet më i vogël.

Situata ishte shqetësuese, por ajo arriti kulmin kur dje, ai u sul ta rrëmbente me forcë duke e futur dhunshëm në makinën e tij.

Tentativa për rrëmbim ishte dramatike, sepse i riu arriti deri aty sa të dhunonte edhe personin që e shoqëronte 39 vjeçare, të cilin e grushtoi sa mundi.

E gjithë skena përfundoi me arratinë e autorit, i cili duket se nuk ia doli dot ta përfundojë skenën e rrëmbimit dhe i hipi makinës i vetëm duke u zhdukur në drejtim të paditur.

Policia tha sot se 32-vjeçari u kap në hyrje të Elbasanit, teksa drejtonte automjetin, në gjendje të dehur. Në këto kushte u sekuestruan automjeti dhe celulari i të riut.

Çfarë deklaroi policia

"Ne morëm sinjale se disa shtetas ishin konfliktuar në ambientet e jashtme të një karburanti në Librazhd, ndaj shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Insistimi”, rezultoi se shtetasi D. K., 32 vjeç, banues në fshatin Perondi, Kuçovë, kishte tentuar të merrte me forcë, në automjet, një shtetase 39 vjeçe, të cilën dyshohet se e kishte përndjekur 1 vit e gjysmë.

Më pas, 32-vjeçari kishte goditur me grushte, shtetasin që shoqëronte 39-vjeçaren, dhe ishte larguar", tha policia e Elbasanit.

Pas ndjekjes me një grup operacional, 32-vjeçari u kap dhe u vu në pranga në hyrje të qytetit të Elbasanit. Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se ai drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit