Transmetuar më 08-04-2026, 09:10

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka nisur verifikimin e konsumit të naftës për operatorët e transportit publik gjatë vitit 2025, në kuadër të përgatitjes së një skeme kompensimi financiar.

Sipas burimeve, procesi përfshin edhe kontrollin e faturave të deklaruara për blerjen e karburantit, ndërsa operatorëve u është kërkuar dorëzimi i dokumentacionit përkatës për vitin e kaluar. Ky hap synon përcaktimin e fondit buxhetor që do të përdoret për kompensim.

Ndërkohë, operatorët e transportit publik janë në pritje të miratimit të një pakete emergjence nga qeveria. Shoqatat përfaqësuese kanë kërkuar në mënyrë të unifikuar subvencionim në masën 100 lekë për litër nafte për një periudhë 6-mujore, si masë për përballimin e rritjes së kostove.

Në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Bashkisë së Tiranës, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe ajo e Transportit Urban dhe Interurban theksojnë se ekziston dakordësi e plotë mes operatorëve për këtë kërkesë.

Sipas tyre, kompensimi financiar për karburantin është një masë e domosdoshme për stabilizimin e situatës dhe për të shmangur reduktimin e flotës dhe të shërbimit. Ata i referohen edhe precedentit të vitit 2022, kur u aplikua një skemë e ngjashme në kuadër të paketës antikrizë.

Shoqatat vlerësojnë se për zbatimin e kësaj mase nevojitet një fond prej rreth 3 milionë euro. Përfaqësues të sektorit theksojnë se kostot aktuale janë të krahasueshme me ato të vitit 2022, kur u akorduan fonde për kompensimin e operatorëve.

Përveç subvencionimit të naftës, operatorët kërkojnë edhe rishikimin e taksave kryesore që ndikojnë në sektor, përfshirë akcizën, taksën e qarkullimit dhe TVSH-në. Sipas tyre, një reformë e tillë do të ndihmonte në lehtësimin e barrës financiare dhe në garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të transportit publik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit