Transmetuar më 07-04-2026, 22:29

Në dëgjesën e parë të Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, ministri për pushtetin vendor, Ervin Demo, ishte i ftuar për të prezantuar procesin e reformës së re.

Deputeti i Partisë Demokratike dhe bashkëkryetar i komisionit, Luciano Boçi, paraqiti analizën e tij mbi reformën territoriale të vitit 2015 dhe paralajmëroi për rreziqet që mund të sjellë procesi i ri.

Boçi theksoi se reforma nuk është thjesht teknike, por lidhet direkt me përfaqësimin e qytetarëve dhe cilësinë e shërbimeve:

“Pa iu përgjigjur pyetjeve themelore, çdo reformë rrezikon të jetë thjesht një përsëritje e gabimeve. A është afruar pushteti me qytetarin, a është rritur autonomia vendore, a janë shmangur pabarazitë mes bashkive?”

Ai shtoi se dështimi i reformës së mëparshme nuk lidhet vetëm me hartën territoriale, por edhe me keqqeverisjen dhe centralizimin: ligjet e miratuara ndër vite kanë zvogëluar funksionet dhe burimet financiare të bashkive, duke i bërë ato të varen nga qeveria qendrore.

“Pas 10 vitesh, rezultatet janë të qarta: shpopullim, mungesë shërbimesh dhe përfaqësim i dobët në periferi. Kur shteti largohet, qytetari largohet. Dhe kur qytetari largohet, territori vdes,” tha Boçi.

Sipas të dhënave të fundit, mbi 90% e bashkive kanë humbur popullsi, ndërsa më shumë se gjysma e qytetarëve janë përqendruar në disa bashki të mëdha, duke treguar dështimin e zhvillimit të balancuar territorial.

Boçi ngriti shqetësimin për modelin që qeveria po promovon, i cili synon konsolidim territorial dhe reduktim të numrit të bashkive, duke paralajmëruar se ky model mund të rrisë distancën mes qytetarëve dhe shërbimeve, veçanërisht në zonat malore dhe periferike.

Në përfundim, ai kërkoi një reformë që vendos qytetarin në qendër, garanton përfaqësim real dhe fuqizon autonominë vendore:

“Ne nuk kemi nevojë për një reformë mbi hartë, por për një reformë që i shërben qytetarit.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit