

Pacientët në sistemin shëndetësor publik shqiptar përballen me pritje të gjata dhe mungesë shërbimesh bazë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka pranuar se pas datës 20 të çdo muaji ndërpritet kryerja e analizave në spitalet publike, për shkak të kufizimeve buxhetore nga koncesionari.
Ministrja Evis Sala ka premtuar se situata do të përmirësohet brenda vitit, por realiteti në terren mbetet shqetësues.
Në spitalin e Berat, pritjet për analizat jetike shkojnë deri në katër muaj. Për shumë qytetarë, kjo krijon një zgjedhje të vështirë: të presin duke rrezikuar shëndetin ose të drejtohen te shërbimet private, shpesh të shtrenjta.
Emisioni investigativ Fiks Fare solli rastin e 80-vjeçarit Qani Arapaj, i cili vuan nga prostata dhe ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët i kërkuan analiza të domosdoshme para operacionit, por ai u njoftua se do të duhet të presë deri në katër muaj. Kostoja në privat arrin rreth 24 mijë lekë të vjetra, një shumë e papërballueshme për pensionistët.
“Jam 80 vjeç dhe vuaj prej muajsh nga prostata. Mjeku më tha që duhet operacion, por më kërkoi disa analiza. Kur shkova për t’i bërë, më thanë të pres katër muaj. Po puna ime nuk pret. Më thanë: nëse nuk pret, shko në privat. Unë jam pensionist dhe mezi përballoj ilaçet,” shprehet Qani Arapaj.
Përfaqësues të spitalit thanë se rastet jo-urgjente duhet të presin radhën, duke mundësuar një afrim të datës së analizave me një muaj, por jo më herët.
Pas ndërhyrjes së Fiks Fare, Qani Arapaj mori një datë më të afërt për analizat, më 1 maj 2026. Megjithëse jo zgjidhje ideale, kjo për të ishte një lehtësim i dukshëm.
Ky rast evidenton problemet strukturore të sistemit shëndetësor publik: akses i kufizuar në shërbime bazë, pritje të gjata dhe pabarazi mes qytetarëve që mund të paguajnë dhe atyre që nuk kanë mundësi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






