Transmetuar më 07-04-2026, 22:17

Filmi malazez në gjuhën shqipe “Nderi”, me regji të Nikola Vukčević, është zgjedhur si kandidati zyrtar i Malit të Zi për Oscar dhe ka fituar 20 çmime ndërkombëtare në 31 festivale, përfshirë Cairo International Film Festival, IFFI GOA dhe Palm Springs International Film Festival.

Filmi shënoi sukses të jashtëzakonshëm në Mal të Zi, me mbi 20,000 bileta të shitura. Premiera në Tiranë do të mbahet më 8 prill në Cineplexx, ndërsa në Prishtinë filmi do të shfaqet më 9 prill.

Përmbajtja dhe rolet kryesore

“Nderi” rrëfen ngjarje të Luftës së Dytë Botërore, duke ndjekur historinë e një fëmije ortodoks malazez që, duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehë në shtëpinë e një familjeje myslimane shqiptare. Kryefamiljari, Nuredin Doka, përballet me zgjedhjen e fatale: të rrezikojë jetën e familjes për të shpëtuar një fëmijë të panjohur ose të shkelë besën, parimin më të shenjtë.

Në role kryesore interpretojnë Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski dhe Elez Adžović.

Konferenca për mediat dhe reagimet

Në konferencën për mediat në Tiranë ishin të pranishëm regjisori Vukčević dhe Esmira Beqoviq. Beqoviq e konsideroi një nder që filmi shfaqet në kuadër të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi dhe për mundësinë e prezantimit për publikun shqiptar.

Regjisori Vukčević theksoi se filmi ka thyer rekorde në Mal të Zi për shitjen e biletave dhe se historia e tij pasqyron pasurinë kulturore dhe mënyrën se si malazezët pranojnë të tjerët. Ai shtoi se shpreson që filmi të pritet po aq mirë edhe nga publiku shqiptar.

Më tej, Vukčević vuri në dukje profesionalizmin e Edon Rizvanolli, i cili ka përfunduar studimet e filmit në Instituti Strasberg.

Filmi do të vijojë shfaqjet në Tiranë dhe më pas në Beograd dhe Podgoricë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit