

Tiranë – Në SPAK është zhvilluar një ballafaqim mes dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej, lidhur me disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë vrasjen e Bujar Çela në Elbasan dhe ekzekutimin e Elvis Dedaj në Durrës.
Gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme, të dy të penduarit konfirmuan deklarimet e dhëna më herët në fazën hetimore, duke i qëndruar versioneve të tyre. Sipas tyre, vrasja e Elvis Dedajt është kryer nga Henrik Hoxhaj, fakt që – sipas dëshmive – u është pranuar nga vetë ai. Nga ana tjetër, Hoxhaj ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, por ka pranuar pjesëmarrjen si vrasës me pagesë në raste të tjera.
Në dëshminë e tij, Alibej ka dhënë detaje edhe për vrasjen e Bujar Çelës, duke deklaruar se kishte financuar këtë krim me një shumë prej rreth 60 deri në 70 mijë euro, të cilat, sipas tij, i ishin dërguar Nuredin Dumani përmes një personi të tretë.
Deklarimi i plotë i Erjon Alibejt:
“…për ngjarjen e vrasjes së Bujar Çelës dua t’ju sqaroj se Nuredin Dumanit, shumën e saktë nuk e mbaj mend, por i kam dërguar rreth 60.000 euro apo 70.000 euro. Këtë shumë parash ia kam dërguar Nuredinit me anë të Arsen Preçit, por vendndodhjen nuk e mbaj mend se ku i ka marrë Nuredini. Vendndodhjen e di saktësisht Nuredin Dumani. Nuk jam shumë i sigurt nëse këtë shumë parash e ka marrë vetë Nuredin Dumani apo ka dërguar Besin dhe Verin. Dua të jap një sqarim në lidhje me Bujar Çelën që nuk e kam dhënë më përpara. Për Bujar Çelën, bashkë me Nuredinin fillimisht patëm planifikuar që arma që u përdor tek vrasja e Emiljano Ramazanit, do të futej brenda tek shtëpia e Bujar Çelës, e mbështjellë me një qese ose çantë, ose diçka që Bujar Çela e kishte prekur me dorë. Shtëpinë e Bujar Çelës, me aq sa më ka treguar Nuredini, është shtëpi private, që ka një avlli përpara shtëpisë, dhe shtëpia bashkë me avllinë është e rrethuar me mur. Shtëpia e Bujar Çelës është dykatëshe, ndodhet në Bradashesh, mbrapa nënstacionit elektrik. Pasi bëmë këtë plan, në ditët në vijim i kisha thënë Xhuljan Hoxhës që të gjente diçka që Bujar Çela kishte prekur me dorë. Nuk mbaj mend mirë, por në afërsi të shtëpisë së Bujarit ai kishte dhe një pikë shumice ushqimore, nuk jam i sigurt nëse e kishte në pronësi Bujari ose jo. Duke qenë se po kalonin ditët dhe akoma nuk kishim arritur që të kishim një qese apo çantë që kishte prekur Bujari me dorë, Nuredini për Bujarin më thotë:
“…ky rob q** duhet vrarë, sepse Talo këtë ka krahun e tij të djathtë, Talo me këtë flet gjatë gjithë kohës, dhe Talo, Bujarin e ka pikë të dobët. Mban mend si tha Eli që kishte shkuar Eli tek shtëpia e Bujarit herë pas here sepse donte Talo të fliste me Bujarin me anë të telefonit të kriptuar të Elit. Dhe po vramë Bujarin, Talo me shumë mundësi do bëhet i gjallë tek Festa…”.
Më tej, Alibej ka deklaruar se për lëvizjet e Bujar Çelës informohej edhe nga persona të afërt me rrethin e Talo Çela.
“…po si mendon ti për armën…? Unë kam një mendim që armën t’ia vëmë Seit Manahasës, sepse edhe ai është i përlyer…”, unë i them: “pooo! Meqenëse e mendon kështu…”. Dhe armën që është përdorur në vrasjen e Emiljano Ramazanit ia vendosëm Seit Manahasës. Ditën e vrasjes së Bujar Çelës, në mëngjes herët, në radio policie kam dëgjuar për çfarë kishte ndodhur. Atë ditë në mëngjes më ka marrë në telefon edhe Agim Lleshi dhe më ka pyetur: “…Erjon, si je? Je në gjumë…?”, i them unë: “po, jam në gjumë. Pse, çfarë ka…?”, më thotë: “…po shkoj në një vendngjarje se kanë vrarë vëllain e Talo Çelës…”, i them unë Agim Lleshit: “A nuk janë vrarë të gjithë me radhë, me farë e me fis, çfarë kanë ata…”.
Dëshmia vijon me detaje mbi komunikimet dhe lëvizjet pas ngjarjes, si dhe mbi përdorimin e mjeteve për të ndjekur informacionet policore. E. Qyno, Syri
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






