

Lezhë – Një incident është regjistruar gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në qytetin e Lezhës, ku dy qytetarë janë ndaluar nga policia dhe janë shoqëruar në komisariat për disa orë.
Sipas burimeve, njëri prej të shoqëruarve është mbështetës i Partia Demokratike e Shqipërisë, ndërsa tjetri një protestues për çështje pronash nga zona e Rrjollit në Velipojë. Ata janë mbajtur në ambientet e komisariatit për rreth katër orë, deri në përfundim të axhendës së kryeministrit dhe largimit të tij nga qyteti.
Rasti është denoncuar nga Festim Meta, njëri prej personave të shoqëruar, i cili deklaroi se në momentin e ndalimit ishte duke u kthyer në banesë dhe se nuk i është dhënë asnjë shpjegim nga ana e policisë për arsyet e shoqërimit.
Nga ana tjetër, burime zyrtare nga policia e Lezhës bëjnë me dije se ndalimi është kryer mbi baza parandaluese, pasi kishte informacione se dy personat mund të krijonin incidente gjatë vizitës së kryeministrit.
Autoritetet theksojnë se ndërhyrja synonte garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të aktivitetit zyrtar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






