Transmetuar më 07-04-2026, 19:51

Mitrovicë e Veriut – Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona të dyshuar si punonjës të Postës së Serbisë, të cilët akuzohen se kanë shpërndarë në mënyrë të paligjshme dërgesa postare në territorin e Kosovës.

Lajmi u konfirmua nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë bëri të ditur se ndalimi u krye pas një informacioni paraprak për aktivitetin e tyre.

Sipas Elshanit, të dyshuarit janë kapur me dërgesa postare, kryesisht dokumente që lidhen me vendime të gjykatave të Serbisë.

“Morëm informacion se kishin dërgesa postare me vete, kryesisht vendime nga gjykatat. Një praktikë e tillë është e paligjshme në Kosovë, pasi dokumentet gjyqësore duhet të përcillen përmes Ministrisë së Drejtësisë”, deklaroi ai.

Pas marrjes në pyetje, dy personat janë liruar, ndërsa rasti i është kaluar për trajtim të mëtejshëm Departamentit për Krime Ekonomike.

Burime të Radion Evropa e Lirë bëjnë me dije se, pavarësisht mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë, disa punonjës të Postës së Serbisë kanë vijuar pjesërisht aktivitetin në terren.

Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë institucionet e Serbisë në territorin e saj si struktura paralele dhe të paligjshme. Procesi i mbylljes së tyre ka nisur në fillim të vitit 2024, ndonëse është shoqëruar me kritika nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka kërkuar zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve për komunitetin serb.

Këto institucione kanë shërbyer për shpërndarjen e përfitimeve financiare nga buxheti i Serbisë për qytetarët serbë në Kosovë, përfshirë pensione, ndihma sociale dhe pagesa të tjera.

Gjatë dy viteve të fundit, përveç Postës së Serbisë, janë mbyllur edhe institucione të tjera si Banka Postare e Kursimeve, Banka Kombëtare e Serbisë, strukturat e sigurimeve pensionale dhe invalidore, si dhe një sërë organesh lokale dhe ndërmarrjesh publike.

Ndërkohë, autoritetet në Beograd kanë kundërshtuar mbylljen e këtyre institucioneve, duke zhvendosur një pjesë të tyre në zonat kufitare brenda territorit të Serbisë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar më herët se mbyllja e institucioneve serbe në Kosovë ka lënë pa punë rreth 5.800 persona, të cilët, sipas tij, do të vazhdojnë të marrin pagat.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit