

Tiranë – Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme monitorimet në terren për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të padrejtë, si dhe për parandalimin e rizënies së tyre.
Aksioni është përqendruar në zonën që mbulon Komisariati i Policisë nr. 2, një ndër territoret më problematike sa i përket zaptimit dhe bllokimit të hapësirave publike.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, bëri të ditur se janë evidentuar 75 raste ku hapësirat publike shfrytëzohen për parkim kundrejt pagesës, në shkelje të ligjit. Sipas tij, në disa raste, edhe brenda lagjeve të banuara, hapësirat e parkimit janë zënë nga individë të vetëm, duke cenuar të drejtën e banorëve.
Sulaj u bëri thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm në këtë drejtim që të lirojnë vullnetarisht hapësirat brenda një afati dyditor. Në të kundërt, ai paralajmëroi ndërhyrje me masa ndëshkuese në përputhje me ligjin.
Nga ana e tij, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, theksoi se strukturat e policisë janë në monitorim të vazhdueshëm dhe do të ndërmarrin procedime penale ndaj çdo subjekti apo individi që tenton të bllokojë hapësirat publike.
Ai shtoi se Policia e Tiranës disponon kapacitetet e nevojshme logjistike për sekuestrimin e mjeteve dhe pajisjeve që përdoren për zaptimin e këtyre hapësirave.
Më herët, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë një takimi me drejtuesit vendorë të policisë në Tiranë, kërkoi zbatim rigoroz të ligjit dhe bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor për të parandaluar rizënien e hapësirave të liruara.
Autoritetet bëjnë me dije se monitorimet do të vijojnë pandërprerë në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e lirimit dhe ruajtjes së hapësirave publike nga çdo formë zaptimi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






