

GJKKO ka dënuar me 11 vite burg biznesmenin Rezart Taçi, i akuzuar për përfshirje në një skemë të pastrimit të parave me vlerë rreth 18.3 milionë euro, të dyshuara si të lidhura me mafian italiane Cosa Nostra.
Sipas vendimit të gjykatës, është urdhëruar gjithashtu konfiskimi i shumës prej 18.3 milionë eurosh, të cilat ishin depozituar në banka në Shqipëri nga shtetas italianë të dyshuar. Dyshohet se këto fonde do të pastroheshin përmes transaksioneve në sektorin e naftës.
Biznesmeni është gjykuar në mungesë për veprat penale “pastrim parash” dhe “grup i strukturuar kriminal”, pasi ndodhet në arrati që prej vitit 2021.
Ndërkohë, SPAK ka veçuar çështjen për katër shtetas italianë – Francesco Zummo, Ignazio Zumo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli – për të cilët procesi gjyqësor vijon në Itali.
Sipas hetimeve, shuma prej mbi 18 milionë eurosh ishte bllokuar fillimisht në nëntor të vitit 2021 në një bankë në Shqipëri dhe më pas u konfiskua me vendim gjykate.
Prokuroria e Posaçme thekson se skema përfshinte transferime të shumave në disa banka dhe shtete të ndryshme, ku Rezart Taçi do të përfitonte përqindje nga procesi i pastrimit të parave.
Në hetime përmenden gjithashtu Artur Balla dhe Bledar Lilo, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në hapjen e llogarive bankare dhe realizimin e transfertave për shtetasit italianë të përfshirë në këtë çështje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





