

Kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë, GJKKO rrëzon kërkesën e Beqajt
Tiranë – Gjykata e Posaçme ka refuzuar sot kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Beqaj kishte ofruar garanci prej 20 mijë euro për të ndryshuar masën e sigurisë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e akuzon Beqajn për disa vepra penale, përfshirë korrupsion pasiv, shkelje të procedurave të tenderëve, falsifikim dokumentesh, mashtrim me pasoja dhe fshehje të pasurisë.
Ish-ministri është vënë nën akuzë për shpërdorim fondesh në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Sipas hetimeve të SPAK, gjatë kohës që ai drejtonte institucionin, janë realizuar të paktën tetë procedura prokurimi të dyshuara si fiktive, duke anashkaluar rregullat ligjore.
Ai u ndalua më 4 korrik 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion, mashtrim dhe mosdeklarim pasurie. Sipas SPAK, veprimet e dyshuara janë kryer në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, i cili në atë periudhë ishte përgjegjës për projektin EUSAIR në SASPAC gjatë viteve 2022–2023. Edhe Kurtulaj është arrestuar dhe ndodhet përpara drejtësisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






