Transmetuar më 07-04-2026, 11:43

Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” organizoi sot një protestë përpara Ministrisë së Bujqësisë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj skemës kombëtare të mbështetjes për vitin 2026.

Fermerët mbajtën pankarta me mesazhe si: “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit” dhe “Bojkotoni firmat serbe”. Ata kërkojnë subvencionim të karburantit dhe rritje të mbështetjes financiare për sektorin e blegtorisë.

“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta dhe nuk korrespondoi me atë që u diskutua me ne. Kërkojmë subvencionim të naftës dhe bllokimin e importit që na konkuron,” deklaruan fermerët.

Ata shprehen se subvencionet në Shqipëri janë 7-8 herë më të ulëta krahasuar me rajonin, duke e vështirësuar konkurrencën. Përveç kostove të karburantit dhe ushqimit të bagëtive, fermerët theksuan edhe informalitetin dhe TVSH-në e pabarabartë si sfida shtesë.

Fermerët kërkuan gjithashtu ngritjen e një laboratori për sigurinë e produkteve dhe formimin e një bordi për produktet e shportës, për të mundësuar konkurrencën me fermerët evropianë.

Aktualisht ata janë në pritje të një takimi me ministrin e Bujqësisë dhe ministren e Financave për të diskutuar kërkesat e tyre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit