Transmetuar më 07-04-2026, 10:46

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më 5 prill 2026 në Soss, ku një 39-vjeçare nga Gjakova, Zoja Oroshi, nënë e katër fëmijëve, u gjet e vrarë në kopshtin e shtëpisë së saj, me plagë të shkaktuara nga thika dhe arma e zjarrit.

Autoritetet austriake njoftuan se autori është ish-bashkëshorti i saj, një 47-vjeçar me origjinë nga Kosova, i cili ka pranuar krimin dhe ndodhet aktualisht në paraburgim në Qendra Korrektuese Wiener Neustadt.

Hetimet e deritanishme tregojnë se konflikte të vazhdueshme familjare mes çiftit mund të kenë qenë motivi i ngjarjes. Sipas policisë, urdhri për paraburgim është kërkuar, ndërsa hetimi policor vazhdon për të sqaruar të gjitha rrethanat e vrasjes.

Autoritetet nënvizojnë se po shqyrtohen të gjitha aspektet e marrëdhënies së tyre dhe problemet familjare, si pjesë e hetimeve për motivin e krimit.

Flet dëshmitarja

Një banore e zonës, dëshmitare e zhvillimeve pas ngjarjes, ka rrëfyer për mediat austriake, momentet e para pas incidentit.

“Ishte një mbrëmje e zakonshme për mua dhe pashë se erdhën një numër të madh policësh. Më pas u mblodhën shumë fqinjë dhe kuptuam se ajo grua, nënë e katër fëmijëve, ishte vrarë pak metra më tej”, ka deklaruar fqinja.

E pyetur nëse e njihte çiftin, ajo shtoi se fëmijët e tyre luanin shpesh bashkë dhe se familja dukej e rregullt, çka e ka bërë ngjarjen edhe më tronditëse për komunitetin.

Banorja tha se rasti ka prekur rëndë gjithë zonën: “Jam e tronditur, nuk kam fjetur gjithë natën duke menduar se çfarë po kalojnë fëmijët tani. Kjo ngjarje prek secilin në lagjen ku jetojmë.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit