Transmetuar më 07-04-2026, 10:43

Një shtetas shqiptar, i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë, është arrestuar nga autoritetet greke pas një operacioni të zhvilluar në zonën e Thermos, në rajonin e Aitoloakarnanisë, ndërsa në pranga kanë rënë edhe tre bashkëpunëtorë të tij.

Sipas policisë, i arrestuari ishte i përfshirë në arratisjen spektakolare të vitit 2019 nga shërbimet e migracionit në Athinë. Në atë kohë, ai së bashku me tre persona të tjerë kishin kërcënuar efektivët me mjete të mprehta dhe armë të improvizuara, duke marrë nën kontroll një automjet policie dhe duke qëlluar në drejtim të forcave të rendit, fatmirësisht pa shkaktuar viktima.

Pas arrestimit të mëvonshëm në zonën e Rentisit, ai ishte dënuar dhe burgosur, por gjatë një leje kishte rifilluar aktivitetin kriminal.

Së fundmi, në bashkëpunim me dy burra dhe një grua, ai tentoi të kryente një grabitje në zonën e Thermos. Autorët kishin ngritur një barrikadë pranë banesës së viktimës dhe e sulmuan atë, por tentativa dështoi pasi viktima kërkoi ndihmë, duke alarmuar banorët e zonës.

Gjatë largimit, autorët qëlluan në ajër me armë automatike dhe u larguan nga vendngjarja. Pas hetimeve intensive, policia arriti të identifikojë automjetin dhe apartamentin tip Airbnb ku ata qëndronin, duke çuar në arrestimin e tyre.

Mes të ndaluarve janë edhe dy shtetas shqiptarë të tjerë, të arratisur nga Qendra e Paraburgimit Rural Kassavetia në fillim të janarit 2025.

Gjatë kontrollit në banesë, autoritetet sekuestruan një armë luftarake të tipit kallashnikov me dy karikatorë të lidhur, që përmbanin gjithsej 57 fishekë të kalibrit 7.62 mm.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal të grupit dhe për të verifikuar lidhjet e mundshme me ngjarje të tjera kriminale në territorin grek.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit