

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka zhvilluar takimin e parë me drejtuesit e Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, shefat e komisariateve dhe drejtues të sektorëve në varësi.
Qëllimi i këtij takimi ishte marrja e masave konkrete për rritjen e parametrave të rendit dhe sigurisë, si për jetën ashtu edhe për pronën e qytetarëve në kryeqytet.
Gjatë fjalës së tij, Hita kërkoi më shumë angazhim, përkushtim dhe profesionalizëm nga strukturat policore, me fokus parandalimin dhe goditjen e fenomeneve kriminale si shpërndarja e lëndëve narkotike, kultivimi i kanabisit, armëmbajtja pa leje, krimet ekonomike, lojërat e fatit dhe aktivitetet e paligjshme të “call center”-ave.
Një tjetër prioritet i theksuar ishte lufta kundër trafiqeve dhe krimeve mjedisore, duke përfshirë lirimin e hapësirave publike, ndërtimet pa leje dhe ndotjen e mjedisit.
Rendi dhe siguria në tërësi, veçanërisht siguria në shkolla, siguria kibernetike dhe ajo rrugore, ishin ndër çështjet kryesore të trajtuara, ku Drejtori i Përgjithshëm kërkoi rritje të prezencës policore dhe përmirësim të kapaciteteve profesionale.
Hita vuri theksin edhe te ndjekja në kohë reale e shqetësimeve dhe denoncimeve të qytetarëve, duke nënvizuar se ligji dhe qytetari janë në qendër të punës së Policia e Shtetit.
Në përfundim, ai kërkoi nga drejtuesit të jenë më pranë punonjësve në terren, t’i mbështesin dhe motivojnë në përmbushjen e detyrave, duke theksuar se besimi i qytetarëve fitohet përmes punës së ndershme dhe sjelljes korrekte.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






