Transmetuar më 07-04-2026, 07:28

Sektori bujqësor në vend po përballet me një situatë të vështirë gjatë këtij viti, e reflektuar në rënien e ndjeshme të eksporteve dhe rritjen e importeve në dy muajt e parë të vitit, janar–shkurt.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, prodhimi i zarzavateve ka pësuar goditje të fortë. Importet në sasi janë rritur me rreth 23%, duke arritur në 16,157 tonë, ndërsa eksportet kanë shënuar një rënie të theksuar prej afro 34%.

E njëjta prirje negative konstatohet edhe në tregtinë e frutave, ku bilanci vijon të mbetet thellësisht deficit. Gjatë kësaj periudhe, importet e frutave u rritën me mbi 21%, duke kaluar shifrën e 18,400 tonëve, ndërsa eksportet ranë me rreth 27%, duke zbritur në vetëm 3,039 ton.

Ky zhvillim shënon herën e parë që eksportet bujqësore në sasi regjistrojnë rënie, duke krijuar një precedent të paprecedentë, ndërkohë që importet janë zgjeruar me ritme të larta.

Ndër arsyet kryesore të kësaj situate përmenden përmbytjet e mëdha të muajit janar, të cilat dëmtuan qindra sera dhe mbjellje në fushë të hapur. Si pasojë, u prekën rëndë prodhimet e sezonit të dytë në prag vjeljeje, si dhe fidanishtet e sezonit të parë për vitin 2026.

Nga ana tjetër, sektori bujqësor po përballet gjithnjë e më shumë me braktisjen e tokës dhe mungesën e fuqisë punëtore, si pasojë e emigrimit të të rinjve nga zonat rurale. Kjo ka sjellë tkurrje të sipërfaqeve të mbjella dhe ulje të prodhimit total, duke kufizuar kapacitetet eksportuese dhe rritur varësinë nga importet.

Ndikim negativ vijojnë të kenë edhe ndryshimet klimatike, të cilat po shfaqen përmes fenomeneve ekstreme si përmbytjet dhe thatësirat, duke dëmtuar ciklin e prodhimit bujqësor.

Prodhimi në periudhën janar–shkurt mbështetet kryesisht në serat bujqësore. Përmbytjet në zona si Myzeqeja dhe Shkodra kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në këto struktura, shpeshherë të pariparueshme.

Edhe për fermerët që i shpëtuan përmbytjeve totale, kostot janë rritur ndjeshëm, për shkak të nevojës për pompa uji, përdorimit të shtuar të pesticideve dhe masave për tharjen e serave. Në sektorin e frutave, dëmet janë ndjerë veçanërisht tek agrumet, të cilat vilen në këtë periudhë.

Një tjetër faktor që ka ndikuar është forcimi i monedhës vendase, duke i bërë produktet shqiptare më të shtrenjta për tregjet e Bashkimit Evropian. Paralelisht, kjo ka favorizuar importet, duke i bërë produktet e huaja më konkurruese në tregun vendas dhe duke nxitur tregtarët të orientohen drejt furnizimeve nga jashtë, veçanërisht nga vende si Greqia dhe Turqia.

Të dhënat tregojnë se varësia e vendit nga importi i produkteve ushqimore është rritur ndjeshëm këtë vit, duke e ekspozuar ekonominë ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit