

WASHINGTON / TEHERAN – Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se ditët në vijim do të shënojnë operacionet më të mëdha ushtarake të kryera deri tani kundër Republikës Islamike, ndërsa Shtetet e Bashkuara rrisin presionin ushtarak dhe strategjik mbi Teheranin.
Në një deklaratë të dhënë të hënën, Hegseth theksoi se Presidenti Donald Trump “nuk po bën shaka” me kërcënimet e tij ndaj Iranit, duke u bërë thirrje udhëheqësve iranianë të zgjedhin “me mençuri” në situatën e krijuar.
“Irani ka një zgjedhje. Zgjidhni me mençuri, sepse ky president nuk bën shaka. Mund të shihni çfarë i ndodhi Qassem Soleimanit apo Nicolas Maduro,” tha Hegseth, duke iu referuar vrasjes së komandantit të Forcave Quds në vitin 2020 dhe kapjes së ish-udhëheqësit venezuelan nga autoritetet amerikane.
Shefi i Pentagonit gjithashtu vlerësoi gjendjen e forcave iraniane, duke thënë se “ushtria iraniane është e turpëruar dhe e poshtëruar”, me referencë te operacionet e fundit për lirimin e dy pilotëve amerikanë, për të cilët ai tha se u kthyen pa dëmtime falë veprimeve të ushtrisë amerikane.
Hegseth paralajmëroi se sot do të shënohet numri më i lartë i sulmeve që nga fillimi i këtij operacioni, ndërsa për ditën e nesërme ai parashikoi edhe një rritje të mëtejshme të intensitetit të goditjeve.
“Kjo seri veprimesh nuk do të ndalet vetëm te sulmet e sotme – nesër do të jetë edhe më e fuqishme, dhe pas kësaj Irani do të duhet të bëjë një zgjedhje,” tha ai, duke nënkuptuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ofensivën nëse Teherani nuk përgjigjet sipas kushteve të tyre.
Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet midis SHBA-së dhe Iranit janë në nivel të lartë, me kërcënime reciproke dhe përshkallëzim të aktivitetit ushtarak, pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh diplomatike dhe ngjarjesh të rendësishme gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






