Transmetuar më 06-04-2026, 18:54

EUROPË – Bashkimi Evropian pritet të zbatojë plotësisht Sistemin e Hyrjes/Daljes (EES) duke filluar nga 10 prilli 2026, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e kontrollit kufitar për udhëtarët që hyjnë në hapësirën Shengen.

Sistemi, i cili nisi zbatimin gradual më 12 tetor të vitit të kaluar në 29 vende evropiane, synon të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaporta me regjistrime dixhitale të hyrje-daljeve. Në kuadër të këtij procesi, do të regjistrohen edhe të dhëna biometrike si imazhet e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve, së bashku me informacionin personal nga dokumentet e udhëtimit.

Sipas autoriteteve evropiane, EES synon modernizimin e menaxhimit të kufijve, forcimin e sigurisë dhe reduktimin e rasteve të mashtrimit dhe kriminalitetit. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë fazës fillestare të zbatimit, mbi 24 mijë personave u është refuzuar hyrja për shkak të dokumenteve të parregullta apo mungesës së justifikimit të udhëtimit, ndërsa mbi 600 individë janë identifikuar si rrezik potencial për sigurinë.

Kush preket nga sistemi

EES zbatohet për qytetarët jo të BE-së dhe jo të zonës Shengen që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Në këtë kategori përfshihen edhe shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar dhe udhëtarët që nuk kanë nevojë për vizë, pavarësisht qëllimit të udhëtimit.

Nga ana tjetër, Irlanda dhe Qiproja nuk do ta zbatojnë këtë sistem dhe do të vazhdojnë me kontrollet manuale të pasaportave. Të përjashtuar nga EES janë qytetarët e BE-së dhe Shengenit, personat me leje qëndrimi ose viza afatgjata, si dhe kategori të veçanta si anëtarët e familjeve të shtetasve të BE-së, personeli ushtarak dhe ekuipazhet e transportit ndërkombëtar.

Priten vonesa në aeroportet evropiane

Në muajt e parë të zbatimit të plotë, priten vonesa të konsiderueshme në pikat kufitare, veçanërisht në aeroporte. Shoqatat e industrisë ajrore kanë raportuar se koha e pritjes në orët e pikut mund të arrijë deri në dy orë ose më shumë.

Ndryshimet procedurale, që nga fundi i marsit kërkojnë regjistrimin e detyrueshëm të të gjithë udhëtarëve nga vendet e treta në sistemin EES, pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në fluksin e pasagjerëve. Për këtë arsye, udhëtarëve u rekomandohet të paraqiten në aeroporte të paktën 1.5 deri në 2 orë më herët se zakonisht.

Megjithatë, autoritetet presin që situata të stabilizohet në afat të mesëm, ndërsa proceset të bëhen më efikase.

Procedurat dhe kërkesat teknike

Pasaportat biometrike nuk janë të detyrueshme për përdorimin e sistemit, por ato mundësojnë kalim më të shpejtë përmes kiosqeve të vetëshërbimit. Udhëtarët me pasaporta standarde do të duhet të kryejnë regjistrimin në sportele të posaçme, duke dhënë të dhëna biometrike.

Të dhënat ruhen për një periudhë trevjeçare, duke lehtësuar kalimet e ardhshme kufitare. Refuzimi për të dhënë këto të dhëna çon automatikisht në ndalim hyrjeje.

Regjistrimi dhe përdorimi i aplikacioneve

Regjistrimi në EES kryhet në momentin e mbërritjes në kufi dhe nuk kërkon aplikim paraprak. Megjithatë, Bashkimi Evropian ka zhvilluar aplikacionin “Travel to Europe”, i cili u mundëson udhëtarëve të regjistrojnë paraprakisht të dhënat biometrike dhe informacionin e pasaportës deri në 72 orë para udhëtimit.

Aktualisht, aplikacioni është i disponueshëm në disa shtete dhe pritet të zgjerohet në të gjithë BE-në në fazat e ardhshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit