Transmetuar më 06-04-2026, 16:16

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se takimi me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u zhvillua në një atmosferë konstruktive, me fokus zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas Kurtit, diskutimet mes palëve zgjatën rreth dy orë dhe u përqendruan në situatën politike të krijuar pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, i cili ka hapur rrugën për vazhdimin e seancave plenare në Kuvend.

“Patëm një takim afro dy orë. Diskutuam për situatën e re politike pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që na mundësoi të mblidhemi dhe të vijojmë me seancat plenare,” u shpreh Kurti.

Ai theksoi se afati për zgjedhjen e presidentit është i kufizuar, duke nënvizuar nevojën për intensifikim të përpjekjeve politike në javët në vijim.

“Na kanë mbetur edhe tri javë dhe duhet të maksimizojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje,” deklaroi ai.

Kreu i qeverisë theksoi se qëllimi i përbashkët mbetet shmangia e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat sipas tij nuk do të sillnin ndryshime të rëndësishme në balancat politike.

Ai shtoi se sfida kryesore nuk është formimi i qeverisë me 61 deputetë, por sigurimi i 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit nga një parti e vetme, çka e bën të domosdoshëm konsensusin politik.

Albin Kurti u shpreh optimist se përmes dialogut dhe takimeve të vazhdueshme mund të arrihet një marrëveshje në ditët në vijim, megjithëse theksoi se një dakordësi konkrete ende nuk është arritur.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit