

Fermerët dhe blegtorët në vend pritet t’u rikthehen protestave pas ndryshimeve në skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi për vitin 2026, e cila parashikon heqjen e shpërndarjes së naftës falas dhe rritjen e subvencioneve direkte.
Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit ka njoftuar zhvillimin e një proteste ditën e martë përpara Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke kundërshtuar ndryshimet që, sipas tyre, nuk reflektojnë nevojat reale të sektorit.
Vendimi për ndryshimin e skemës u mor pak ditë më parë, duke eliminuar mbështetjen me naftë falas dhe duke rishikuar pagesat direkte për fermerët. Konkretisht, subvencioni për krerë bagëtish është rritur në disa kategori, por me kufizime më të ngushta për përfituesit.
Eksperti i bujqësisë Ervin Resuli vlerëson se, pavarësisht rritjes së subvencioneve direkte, sektori i blegtorisë rezulton neto humbës pas heqjes së naftës falas.
Sipas tij, skema aktuale nuk adreson problemin kryesor të fermerëve: rritjen e kostove të prodhimit, të ndikuara nga kriza e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, përfshirë rritjen e çmimit të karburantit dhe plehrave kimike.
Resuli thekson se për një fermë me rreth 100 krerë lopë, përfitimi shtesë nga subvencionet arrin mesatarisht në 150 mijë lekë, ndërsa humbja nga heqja e naftës falas shkon deri në 500 mijë lekë, duke krijuar një diferencë negative prej rreth 350 mijë lekësh.
Edhe më herët, Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit kishte kërkuar rritjen e mbështetjes në 20 mijë lekë për krerë pa kufizim, ndërsa gjatë diskutimeve ishte propozuar një nivel prej 15 mijë lekësh. Megjithatë, këto propozime nuk u reflektuan në vendimin përfundimtar.
Fermerët shprehen të zhgënjyer nga mosrealizimi i marrëveshjeve dhe paralajmërojnë se ndryshimet e fundit jo vetëm nuk lehtësojnë situatën, por rëndojnë më tej kostot e prodhimit.
Ekspertët shtojnë se edhe skema e kompensimit të TVSH-së prej 10% nuk rezulton efektive për shumicën e fermerëve, pasi përfitimi kufizohet kryesisht te subjektet e formalizuara, duke lënë jashtë një pjesë të konsiderueshme të prodhuesve të vegjël.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






