

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë nisur protesta duke kërkuar përdorimin e gjuhës shqipe në proceset arsimore dhe profesionale, përfshirë edhe provimet shtetërore.
Në një reagim zyrtar, Universiteti i Tiranës ka shprehur mbështetje të plotë për këto kërkesa, duke theksuar se e drejta për arsimim dhe vlerësim në gjuhën amtare përbën një standard të njohur ndërkombëtarisht dhe një element thelbësor të barazisë në shoqëritë shumëgjuhëshe.
Sipas institucionit, studentët që ndjekin studimet në një gjuhë të caktuar duhet të kenë mundësinë që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të realizohet në të njëjtën gjuhë. Kjo konsiderohet një e drejtë legjitime dhe një komponent kyç për shmangien e diskriminimit në sistemin arsimor.
Universiteti vlerëson se kërkesa e studentëve shqiptarë për zhvillimin e provimeve shtetërore në gjuhën shqipe lidhet drejtpërdrejt me garantimin e barazisë, dinjitetit dhe aksesit të drejtë në tregun e punës. Mosrespektimi i këtij parimi, sipas reagimit, mund të krijojë pengesa në zhvillimin profesional dhe të cenojë besimin ndaj institucioneve.
Në përfundim, Universiteti i Tiranës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të gjejnë zgjidhje gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet ligjore dhe parimet e bashkëjetesës demokratike, duke theksuar se respektimi i diversitetit gjuhësor është një vlerë që forcon kohezionin social dhe proceset integruese drejt Bashkimit Evropian.
Reagimi i Universitetit të Tiranës
Universiteti i Tiranës shpreh mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare në proceset arsimore dhe profesionale.
E drejta për t’u arsimuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element thelbësor i barazisë reale në shoqëri shumëgjuhëshe. Kur studentët ndjekin studimet e tyre në një gjuhë të caktuar, është e drejtë legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të bëhet në të njëjtën gjuhë.
Kërkesa e studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson një aspiratë të drejtë për barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim. Mosrespektimi i këtij parimi rrezikon të krijojë pengesa të panevojshme në zhvillimin profesional të tyre dhe të cenojë besimin në institucionet shtetërore.
Universiteti i Tiranës mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e standardeve të barabarta në arsim dhe në jetën publike. Ne inkurajojmë institucionet përkatëse që, në frymën e ligjit dhe të bashkëjetesës demokratike, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Respektimi i diversitetit gjuhësor nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe vlerë që pasuron shoqërinë dhe forcon kohezionin social në rrugën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian!
Rektori i Universitetit të Tiranës,
Prof.Dr. Artan HOXHA
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






