

Brenda këtij muaji pritet vendosja e tarifave për kalimin në Tunelin e Llogarasë, duke i dhënë fund periudhës së përdorimit pa pagesë. Punimet për instalimin e sistemit të pagesës kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa gjatë ditës së sotme janë kryer testet për funksionimin e plotë të pajisjeve dhe sistemeve mbështetëse.
Kamerat e sigurisë, sensorët elektronikë dhe infrastruktura e kontrollit po verifikohen për të garantuar një proces të rregullt gjatë nisjes së tarifimit.
Tarifat e kalimit janë përcaktuar sipas kategorive të mjeteve:
Motoçikleta: 100 lekë
Autoveturat: 250 lekë për një kalim, 500 lekë vajtje-ardhje
Mjete me karroceri: 500 lekë
Furgonë dhe autobusë: 1000 lekë
Mjetet e tonazhit të rëndë: deri në 5000 lekë
Vendosja e tarifave pritet të shkaktojë reagime nga qytetarët dhe udhëtarët, të cilët deri tani e kanë përdorur tunelin pa pagesë.
Ende nuk është vendosur nëse do të ketë lehtësira apo karta speciale për banorët rezidentë.
Ndërkohë, lidhur me shkeljet në tenderin e ndërtimit të tunelit, SPAK ka marrë të pandehur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ish-kreun e ARRSH-së Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, ish-drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve. Të tre akuzohen për shkelje të barazisë në tenderin me vlerë 190 milionë euro.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






