Transmetuar më 06-04-2026, 11:04

Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale kundër personit dhe pronës, si dhe zbardhen 2 të tilla, të kryera nga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Kapet, si rezultat i ndjekjes policore, një 37-vjeçar që kishte siguruar, për qëllime kriminale, lëndë eksplozive, lëndë djegëse, armë zjarri dhe një motomjet të dyshuar të vjedhur, pa targa.

Në momentin e ndalimit, ai kishte vendosur maskë silikoni.

Sekuestrohen sasi lënde eksplozive (gati për shpërthim), 10 litra lëndë djegëse, 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, 1 maskë silikoni dhe 1 motomjet pa targa (i dyshuar i vjedhur).

Pas administrimit të informacioneve në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, finalizuan operacionin policor të koduar “Kontigjenti”.

Gjatë operacionit, i është bërë shenjë ndalimi motomjetit pa targa, me të cilin lëvizte shtetasi Perikli Doçi, 37 vjeç, banues në Paskuqan.

37-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, me motomjet.

Si rezultat i ndjekjes policore, është bërë kapja dhe arrestimi i tij, në afërsi të liqenit të Paskuqanit.

Në momentin e ndalimit, është konstatuar se 37-vjeçari kishte vendosur maskë silikoni dhe gjatë kontrollit fizik dhe në motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën sasi lënde eksplozive, gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse dhe 1 armë zjarri (pistoletë) me municion.

Nga hetimet e mëtejshme dyshohet se shtetasi i arrestuar, Prilli Doçi, më datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, Paskuqan 1, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Q. K., dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur gjatë kryerjes së krimit, në afërsi të urës së fshatit Tapizë.

Ndërsa më datë 17.10.2025, në rrugën “Unaza e Madhe”, Paskuqan 2, ka hedhur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit Rr. D., ngjarje nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Më tej, dyshohet se motomjeti me të cilin 37-vjeçari u konstatua duke lëvizur gjatë natës, në rrugën “Mustafa Lita”, është i vjedhur.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të 37-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë ai.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit