

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve dhe tensioneve ndërkombëtare, tregu i automjeteve në vend vijon të shënojë rritje të fortë, duke arritur nivele rekord në muajin mars me 22 mijë makina të importuara ku mbi 87 për qind janë me djegie të brendshme dhe më pak se 13 për qind elektrike.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), gjatë muajit mars janë regjistruar për herë të parë 7,891 automjete, duke shënuar një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky nivel përbën rekordin historik të regjistrimeve për këtë muaj.
Ecuria me rritje importi është reflektuar edhe në tremujorin e parë të vitit. Pas një rënieje prej 7.6% në janar, regjistrimet u rritën me 20.6% në shkurt, ndërsa në total, për tre muajt e parë të vitit, janë shtuar rreth 22 mijë mjete të reja në rrugët e vendit, kryesisht autovetura, me një rritje vjetore prej 8.4%.
Megjithatë, pjesa dërrmuese e automjeteve të reja, mbi 87%, vijojnë të jenë me naftë, benzinë ose gaz, në një kohë kur çmimet e karburanteve kanë pësuar rritje të ndjeshme. Në mars, nafta ka kaluar mbi 220 lekë për litër nga 175 lekë në shkurt, benzina ka arritur në 181 lekë për litër, ndërsa gazi është rritur në rreth 75 lekë për litër.
Në fund të muajit mars, numri i mjeteve aktive që qarkullojnë në vend ka arritur në afro 1.07 milionë, nga të cilat rreth 860 mijë janë autovetura.
Koreja e Jugut kryeson importet, rritet ndjeshëm pesha e Kinës
Sa i përket origjinës së automjeteve, Koreja e Jugut vijon të mbajë vendin e parë, me 24% të totalit të mjeteve të regjistruara për herë të parë në tremujorin e parë të vitit. Ky është viti i tretë radhazi që ky shtet kryeson, kryesisht falë ofertave ekonomike.
Ndërkohë, Kina renditet për herë të parë në vendin e dytë, me 18% të totalit, e nxitur nga rritja e interesit për automjetet elektrike. Në vend të tretë pozicionohet Gjermania me 12.9%, e ndjekur nga Italia me 12.3%.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






